BOKS/ Unifikohen 4 titujt e peshave të rënda, Usik-Furi, superdueli që bota e pret prej 25 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2023 | 22:40

BOKS/ Unifikohen 4 titujt e peshave të rënda, Usik-Furi, superdueli që bota e pret prej 25 vitesh

Tajson Furi dhe Oleksandër Usik kanë arritur marrëveshjen për t’u ngjitur në ring në një duel që do të unifikojë të gjithë titujt botërorë në boksin e peshave të rënda. Që nga fillimi i epokës me katër breza në vitin 2004, nuk ka pasur asnjë kampion të padiskutueshëm që i ka mbajtur të gjithë titujt në peshën e rëndë.

BOKS

Ndërsa boksieri i fundit që unifikoi gjerdanët e peshave të rënda ishte Lenoks Luis. Më 13 nëntor 1999, ai mposhti Evandër Holifildin në revanshin për unifikimin e titujve, pasi tetë muaj më parë përballja mes tyre kishte përfunduar në barazim. Dueli mes Usik dhe Furit është bërë realitet, pasi u bë e ditur se të dy boksierët kanë arritur marrëveshje për të luftuar në Arabinë Saudite. Të dy kanë nënshkruar kontratën për ndeshjen që mund të zhvillohet më janar 2024, megjithëse nuk përjashtohet mundësia të afrohet deri më 23 dhjetor. “Jam i lumtur që nënshkruaj këtë duel. Është më i madhi që mund të zhvillohet në sportin tonë. Peshat e rënda gjithmonë ndezin imagjinatën e tifozëve dhe nuk kam asnjë dyshim se kjo do të jetë ngjarja më e madhe e boksit e shekullit”, deklaroi promovuesi Frank Uorren në një intervistë për BBC. Por, para këtij dueli të madh, Furi duhet të kalojë sfidën me Francis Nganou (ish-luftëtar i peshave të rënda në UFC), e cila do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite më 28 tetor. Dy boksierët do të ndajnë një “çantë” prej 60 milionë dollarësh për këtë ndeshje, ndërsa fituesi do të marrë edhe 30 milionë të tjera. Ukrainasi Usik (21-0, 14 KO) ruajti tre brezat e tij botërorë në peshat e rënda (WBA-IBF-WBO) në fund të gushtit në stadiumin komunal në Vroklav të Polonisë, duke mposhtur anglezin Danil Dubois me KO në raundin e nëntë. Kështu ukrainasi i mban gjerdanët që prej 25 shtatorit të 2021-shit, datë kur mposhti Antoni Xhoshuan, për t’ia rrëmbyer titujt britanikut, të cilin e mundi edhe në revanshin e 20 gushtit gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë Furi, gjithashtu i pamposhtur (33-0, 24 KO), është kampioni aktual i WBC (Këshilli Botëror i Boksit), që kur mposhti Deontai Uilderin në shkurt të 2020-ës, ku kurorëzua për herë të dytë pas fitores së tij kundër Vladimir Kliçkos në vitin 2015. “Një frikacak do të jetë gjithmonë një frikacak”, ishte shprehur Tajson Furi, duke përçmuar Usikun pas duelit të ukrainasit kundër Dubois. “Ai do ta rrëzonte lehtë Usikun, që u plas në tokë kur Dubois e goditi me një gjuajtje të ulët. Ai po rrotullohej në tapet duke bërtitur”, shtoi “Gypsy King”.

MUHAMED ALI, XHO LUIS, FREZER, FOREMAN, TAJSON…

Përballja mes Usik dhe Furit është e lidhur me momentet historike në boksin e peshave të rënda. Pritshmëria e vendos këtë duel në një nivel të ngjashëm me atë të ndeshjeve të tjera në këtë kategori, por me rastin e paprecedentë të katër gjerdanëve në lojë në një përballje.

Duke u kthyer pas në kohë, ringu dridhej duelin e parë mes Muhamed Aliut dhe Xho Frezer në mars të vitit 1971 në “Madison Square Garden”. Një duel që shkoi në 15 raunde, ndërsa Frezer fitoi me vendim unanim. Katër vite më vonë, në 1975-ën, sfida u zhvillua në Manila, ndërsa këtë herë ishte Ali ai që fitoi KO në fund të raundit të 14-të duelin legjendar. Një vit më herët, në 1974-ën, Muhamed Ali dhe Xhorxh Foreman matën forcat në një tjetër duel legjendar. Ali vinte pas humbjes ndaj Xho Frezer dhe Ken Norton, ndërsa Foreman kishte fituar 40 ndeshjet e tij të mëparshme. Ishte Ali ai që triumfoi në një prej përballjeve që kanë shkruar historinë. Lista e ndeshjeve të mëdha të peshave të rënda përfshin duele të tjera epike, si ajo e Majk Tajsonit dhe Evander Holifildit, e ndërprerë pas kafshimit të veshit, që Majku “i hekurt” i bëri rivalit të tij. Ndërsa më të fundit janë titujt e Vitali Kliçkos, Anthoni Xhoshuas dhe Deontai Uilderit, por Furi-Usik do të jetë në një nivel tjetër.

33 fitore

nga të cilat 24 me KO, si dhe 1 barazim është bilanci që regjistron Tajson Furi në 33 ndeshjet e tij si profesionist. Ndërsa Oleksandër Usik numëron 21 fitore (14 me KO) në po kaq ndeshje të zhvilluara.

SHUMA

121 milionë paund në lojë

Për duelin e peshave të rënda Usik-Furi në lojë do të jetë edhe një shumë marramendëse financiare. Sipas medias britanike “The Telegraph”, raportohet se pritet të ketë një shumë prej 121 milionë paundësh, e cila do të ndahet mes dy boksierëve për duelin. Një shifër e jashtëzakonshme, të cilën kompania e promovimeve të Arabisë Saudite “Skills Challenge Entertainment” është e përgatitur të vendosë për dy boksierët e pamposhtur.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"