Afrimi që mbylli merkaton, Ribaj: Nuk e refuzoja dot Vllazninë
Orët e fundit të merkatos kanë sjellë një tjetër blerje për ekipin e Vllaznisë. Kur u duk se nuk do të kishte më asnjë lëvizje, drejtuesit e klubit kanë ndërhyrë, duke mbyllur një marrëveshje me sulmuesin Andi Ribaj. Vlonjati ka mbërritur pasditen e së martës në Shkodër dhe ka gjetur akordin me drejtuesit, duke hedhur më pas edhe firmën në kontratë.
Nga sa mësohet, ai do të jetë pjesë e kuqebluve për një sezon dhe stafi teknik i kësaj skuadre shpreson që Ribaj, bashkë me ganezin Atsina, të plotësojnë ashtu si duhet repartin e sulmit. Në fakt, ky ka qenë një nga shqetësimet e vazhdueshme të trajnerit Cungu që kërkonte përforcime, si për sulmin, ashtu edhe për mbrojtjen. Nga ana e tij, sulmuesi vlonjat është shprehur për arritjen e kësaj marrëveshje.
“Jam i lumtur që tashmë jam bërë pjesë e Vllaznisë sepse është një ekip me emër dhe traditë, që jo më kot konsiderohet djepi i futbollit shqiptar. Sapo drejtuesit e saj më kontaktuan, nuk u mendova dy herë, por i thashë menjëherë po. Kam ardhur në Shkodër për të dhënë me të mirën time,” është shprehur sulmuesi.
SKUADRA
Ribaj ka folur me superlativa për kontingjentin aktual që ka skuadra. Ai ka vlerësuar afrimet e bëra në këtë merkato, duket shpresuar tek arritjet e sezonit të ri, ndërsa vlerëson konkurrencën që do të ekzistojë në skuadër. “Sa i takon përbërjes aktuale që ka Vllaznia, mund te them se njoh një pjesë të konsiderueshme që janë pjesë e saj.
Në merkaton e sivjetme kanë ardhur lojtarë shumë, të cilët e kanë rritur forcën e skuadrës dhe njëkohësisht kanë shtuar edhe konkurrencën dhe kjo është një gjë shumë e mirë dhe do sjellë rezultate pozitive. Jam i mendimit se Vllaznia ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë sivjet,” vijoi Ribaj.
OBJEKTIVI
Sulmuesi ka folur edhe për objektivin që do të ketë në këtë sezon me ekipin e Vllaznisë. “Të shënoj sa më shumë dhe të ndihmoj Vllazninë për arritjen e objektivave të saj. Natyrisht që një sulmues matet me gola dhe prandaj, shpresoj të shënoj sa më shumë.
Kam patur gjithmonë respekt për tifozët shkodranë sepse janë të veçantë për mënyrën si e mbështesin skuadrën e tyre. Mua më kishte rastisur deri më sot të vija si kundërshtar në Shkodër dhe tani nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm t’i bëj tifozët për vete, me lojën dhe golat që do të shënoj”, ka mbyllur Ribaj.
ADMIR URUÇI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"