Afrohet kavajasi Lushkja, kurbinasit mbyllin përgatitoren
Regi Lushkja i bashkohet Laçit për pjesën tjetër të sezonit. Mesfushori kavajas ka tërhequr vëmendjen e drejtueseve bardhezi, ndërsa në testin me Besën, 19-vjeçari u listua në dëshirat e Nicës.
Ndërkohë, asgjë konkrete lidhur me Albi Dostin. Edhe pse lojtari ka marrë kontakte me presidentin Laksa, nga kampi kurbinas nuk deklarohet nëse palët kanë mbyllur marrëveshjen. Nga ana tjetër, ekipi u ka dhënë fund përgatitjeve në Kamzë dhe është rikthyer në shtëpi. Afrimi i takimit me Partizanin, ka bërë që në kampin e bardhezinjve të fokusohen pikërisht te Kupa.
Zv/ trajneri Ardian Laska, gjatë një bisede për gazetën, deklaroi se:
“Gjendemi në një pozicion luksi sa i takon kontingjentit. Lojtarët kanë fituar aftësitë individuale dhe rikuperimi shëndetësor i tyre na ka bërë që të jemi më të plotë. Kjo është pasqyruar edhe në miqësoret e luajtura, ndërsa i kemi fituar të tria daljet tona. Sot (dje) është afruar një sportist që mendoj se ka kualitet dhe premton goxha. Këtë radhë kemi pikasur një mesfushor të ri nga radhët e Besës, Regi Lushjka, që është vetëm 19 vjeç”, Ndërkohë, Laçi do të qëndrojë përfundimisht në shtëpi. Nuk përjashtohet mundësia që grupi me stafet në krye ti rikthehen para kohe “kazermës”.
Duke ditur që kurbinasit synojnë Kupën, nuk përjashtohet mundësia e një grumbullimi të parakohshëm.
“Është bërë traditë për klubin që ne të rrisim oreksin për këtë trofe. Pse mos ta kërkojmë. Në radhët tona ka lojtarë klasi që dinë të karikohen në duele të tilla. Finalet na shkojnë për shtat, ndaj që në çerekfinalen e parë, do të përpiqemi të hedhim një hap përpara”, përfundoi Ardian Laska. Isuf Myrtaj
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"