Akord me Shkallën e Jakun, përforcimi i Burrelit nis nga mbrojtja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 16:37

Akord me Shkallën e Jakun, përforcimi i Burrelit nis nga mbrojtja

Burreli ka nisur përforcimin e skuadrës duke kryer edhe përforcimet e para në merkaton e verës. Drejtuesit e skuadrës matjane kanë bindur dje dy futbollistë për të qenë pjesë e Burrelit për sezonin e ri. Bëhet fjalë për mbrojtësin me eksperiencë Silvester Shkalla dhe Kristi Jakun.

bicaj shkalla

Lajmin e bën të ditur për gazetën “Panorama Sport”, numri një i pankinës matjane, Ditmar Bicaj. Qendërmbrojtësi Shkalla ka një CV relativisht të pasur, ku gjatë karrierës disa vjeçare ka provuar të veshë bluzat e disa skuadrave të Superiores, ku më të spikaturat janë ato të Teutës dhe Dinamos. Gjatë vitit 2021 ka qenë pjesë e Ulpianës në Kosovë. Trajneri lezhjan i Burrelit i njeh mirë aftësitë e qendërmbrojtësit, pasi dy vite më parë ka qenë pjesë e Flamurtarit, ku ishte dhe Ditmar Bicaj. Ndërsa mbrojtësi i majtë Kristi Marku ka qenë pjesë e skuadrës së Besëlidhjes, ku në sezonin e shkuar ka shënuar edhe tre gola.

“Me dy futbollistët është rënë dakord për të qenë pjesë e skuadrës sonë për edicionin e ri futbollistik. Ata do t’i bashkohen skuadrës të hënën, që është edhe dita e parë e fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik”, u shprehet për “Panorama Sport”, trajneri i Burrelit Ditmar Bicaj. Ndërkohë nga skuadra matjane janë larguar disa futbollistë, ndër më të spikaturit goleadori Farruku, Dulaj, Kastrati, Dikson, etj. Sipas numrit një të pankinës matjane, mësojmë se më datë 15 korrik, në orën 17.30 në stadiumin “Liri Ballabani”, skuadra do të nisë fazën përgatitore. Me fillimin e punës do të shikohet edhe fytyra e Burrelit të sezonit të ri.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"