Aleancat, FSHF ndryshon ndarjen e skuadrave në Kategorinë e Parë. Tirana vendoset në grupin e “lehtë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2017 | 22:54

Aleancat, FSHF ndryshon ndarjen e skuadrave në Kategorinë e Parë. Tirana vendoset në grupin e “lehtë”

Ndryshon ndarja e grupeve për Kategorinë e Parë. Gazeta “Panorama Sport” zbardh planin e FSHF-së për ndarjen e ekipeve në kampionatin e ardhshëm. Pas aleancave që u bënë hapur dhe ndeshjeve të toleruara, institucioni i futbollit vendos të ndërhyjë duke ndarë ekipet që kishin të njëjtin pronar apo ishin pjesë të së njëjtës njësi administrative.

topi kategoria e pare

Shënkolli dhe Iliria do të kalojnë në Grupin B për të shmangur aleancat respektivisht me Besëlidhjen dhe Kastriotin. Ndërsa Tirana, e cila do të luajë për herë të parë në Kategorinë e Parë, do të jetë pjesë e Grupit A. Gazeta “Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive i kishte lajmëruar këto ndryshime disa ditë më parë. Gjithçka do të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së që pritet të mblidhet në muajin korrik.

PLANI

Gjatë kampionatit të kaluar, gara u prish në mënyrën më të shëmtuar nga klube që kishin të njëjtin pronar dhe luanin në të njëjtin grup. Rasti më flagrant ishte ai i Kastriotit dhe Ilirisë, që janë pronë e Bashkisë së Krujës. Dhe katër përballjet mes tyre gjatë kampionatit që përfundoi ishin shfaqje teatrale. Fitonte ajo skuadër që i duheshin pikët.

ndarja vjet

E njëjta situatë ishte edhe mes Besëlidhjes dhe Shënkollit, klube të së njëjtës njësi administrative, Lezhës. Në katër përballjet e vitit të fundit, Besëlidhja fitoi 12 pikë të plota ndaj Shënkollit në takime ku përfundimi dihej. Duke parë këtë degradim, FSHF ka vendosur që për sezonin e ri të kalojë në Grupin B skuadrat e Shënkollit dhe Ilirisë.

Në këtë rast nuk do të merret parasysh faktori gjeografik, pasi përballë tolerimeve të takimeve, çdo ndryshim është i justifikuar. Burime të sigurta në FSHF kanë bërë të ditur se vendimi do të merret në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv që pritet të mbahet në korrik.

Gjithashtu, në atë mbledhje mund të diskutohet dhe, më pas, vendoset për ndryshimin e formulës së kampionatit të Kategorisë së Parë për sezonin 2018-2019. Në atë të radhës mund të ndryshohen vetëm ekipet në ndarjen e grupeve, por jo formula, pasi kjo kërkon që të bëhet dy vite përpara.

ndarja kete vit

TIRANA

Skuadra bardheblu do të luajë për herë të parë në Kategorinë e Parë në kampionatin e ardhshëm. Tirana do të vendoset në Grupin A. Duket një zgjedhje e mirë për bardheblutë, të cilët mund të kenë rival të fortë vetëm Besëlidhjen. Megjithatë, duke parë që ekipi do të jetë në këtë grup, skuadrat e tjera mund të stepen për sa u përket investimeve që të rivalizojnë për kreun.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"