Alegri bën llogaritë e Champions: Lëmë pas Milanin edhe me dy barazime
Afron fundi i kampionatit në Serinë A dhe për skuadrat nis momenti i llogarive që i afrojnë me objektivat. Për Juventusin, objektivi është një i vetëm, ai i kualifikimit në Ligën e Kampioneve.
Trajneri Alegri nuk ka ngurruar të bëjë llogaritë publikisht para mikrofonave të “Rai Sport”, duke treguar se cili është objektivi i bardhezinjve në katër ndeshjet e mbetura të kampionatit dhe sa gabime mund t’i lejojnë vetes tani që janë në vendin e dytë në klasifikim.
“Të fitosh në Bergamo është një kënaqësi e veçantë, nuk e kishim mundur kurrë në 6 ndeshjet e fundit Atalantën në duelin direkt, kishim pësuar 5 gola. Sot ishte dita e parë e sezonit kur luhej me temperatura të larta dhe djemtë u treguan të aftë.
Zona Champions? Interi mund të arrijë në 75 pikë, pasi është në kuotën e 63 aktualisht, Milani mund të bëjë 73, ndërsa ka për të luajtur edhe ndeshjen direkte ndaj nesh. Është gjithçka në lojë. Matematika thotë që me 74 jemi brenda. Duhet të bëjmë tre fitore, ose dy fitore dhe dy barazime. Fitorja duhet vënë para të gjithave”, theksoi trajneri duke shpjeguar kësisoj se do të ishte i kënaqur me 8 ose 9 pikë në 4 ndeshjet e mbetura të sezonit për sa kohë që i garantonin të paktën vendin e katërt në renditje.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"