Aleksi “shkes” për Rrocën, Ujka mbetet ende dëshirë e Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 19:52

Aleksi “shkes” për Rrocën, Ujka mbetet ende dëshirë e Egnatias

Në merkaton e Egnatias po lakohet shumës edhe emri i mesfushorit Eduard Rroca. Futbollisti 30-vjeçar, pasi shkëputi marrëdhëniet me klubin e tij në Turqi, ku ka luajtur sezonet e fundit, është dëshira e disa skuadrave shqiptare dhe një prej tyre është edhe Egnatia.

RROCA

Do të ishte një goditje e rëndësishme në fakt për rrogozhinasit, pasi bëhet fjalë për një lojtar me kualitet dhe eksperiencë të gjatë në futbollin shqiptar, ku nuk do të kishte nevojë për përshtatje. Për të marrë Eduard Rrocën, drejtuesit e Egnatias duhet të fitojnë konkurrencën me Partizanin dhe ndonjë klub tjetër.

“Panorama Sport” mëson ndërkohë se Albano Aleksi mund të bëjë rolin e “shkesit” në këtë rast. Mesfushori që luan aktualisht për rrogozhinasit po bën rolin e ndërmjetësit për të bindur Rrocën të zgjedhë kampionët në fuqi. Të dy lojtarët janë shokë të ngushtë që nga koha kur luanin bashkë për ngjyrat e Luftëtarit. Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë, por klubi rrogozhinas po luan çdo “kartë” të mundshme për të bindur Rrocën.

UJKA – Një tjetër mesfushor që është piketuar nga rrogozhinasit për të forcuar ekipin për sezonin e ri, madje shumë kohë më parë, është Serxho Ujka. Drejtuesit e Egnatias kanë tentuar të bindin presidentin e Laçit, Pashk Lasak, duke i bërë një ofertë financiare, si në rastin e portierit Mario Dajsinani, por deri tani nuk ia kanë arritur qëllimit. Ujka në fakt ishte “prenotuar” që në fillimin e merkatos verore, duke qenë një lojtar që pëlqehet shumë nga trajneri Edlir Tetova, por mbetet për t’u zgjidhur ngërçi me Laçin, që nuk hap rrugë, pasi e ka lojtarin nën kontratë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"