“Allianz Stadium” tabu për ujkonjat , Roma nuk fiton kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2017 | 20:00

“Allianz Stadium” tabu për ujkonjat , Roma nuk fiton kurrë

Roma do të shkelë sot barin e fushës juventine, e ndërgjegjshme se po viziton një impiant që është shndërruar në një tabu, në një “ferr” për ta që prej vitit 2011, kur bardhezinjtë inauguruan impiantin e ri, pavarësisht se ai quhej “Juventus Stadium” dhe tashmë “Allianz Stadium”.

Fakt është që skuadra kryeqytetase, në 7 vizita që u ka bërë “Zonjës së Vjetër”, në të shtata ka dalë e mposhtur (6 në kampionat dhe 1 në Kupën e Italisë).

juve 2

Nëse futemi në detaje, shifrat janë edhe më flagrante sesa kaq sepse realisht në këto 7 duele të luajtura në impiantin e ri, asnjë ndeshje nuk ka pasur histori, me të zotët e shtëpisë gjithmonë triumfues.

Në këto përballje në “Allianz Stadium”, Roma e ka parë veten të dërrmuar dhe gjithmonë shumë nervoze duke qenë se ka arritur të shënojë vetëm tre gola, ndërsa ka pësuar 19 të tillë (thuajse 3 gola për ndeshje).

Ndërkohë që ka numëruar edhe 6 kartonë të kuq, 5 kanë qenë futbollistë, ndërsa një tjetër për ish-trajnerin Rudi Garsia (për juventinët, vetëm 1 i kuq në shtatë sfidat e fundit).

during the Serie A match between Juventus FC and AS Roma at Juventus Arena on January 24, 2016 in Turin, Italy.

Sikur të mos mjaftonin këto, për Romën statistikat përballë bardhezinjve janë edhe më të frikshme duke qenë se ata janë skuadra, përballë të cilës kryeqytetasit kanë humbur më shumë, 79 herë, ndërsa bilanci vazhdon me 39 suksese për Romën dhe 48 barazime. Për sa i përket ish-ëve, ata do të jenë dy.

Miralem Pjaniç dhe Mehdi Benatia kanë luajtur njëkohësisht te Roma, por që të dy, sot në mbrëmje, do të jenë në fushë për ngjyrat e Juventusit dhe që të dy titullarë. Më poshtë, disa shifra të tjera mbi sfidën:

International Champions Cup 2017 - AS Roma v Juventus

– Juventusi ka shënuar të paktën një gol në 23 nga 24 përballjet e fundit kundër Romës, për një total prej 46 ndeshjes. Bilanci i sfidave ka qenë 15 fitore bardhezi, 5 barazime dhe 4 suksese romane.

– Juventusi vjen nga gjashtë fitore radhazi në kampionat kundër Romës, në të cilën ata e kanë ruajtur portën e tyre të paprekur në 4 raste. – Përpara kësaj të sivjetshmes, skuadra e fundit që kishte arritur që të shënonte 44 gola pas 17 ndeshjesh në Serinë A ka qenë sërish Juventusi i sezonit 1959-1960.

– Roma ka fituar pesë herë me rezultatin 1-0 në këtë kampionat, të paktën dy herë më shumë se çdo skuadër tjetër e Serisë A sivjet. – Juventusi ka shënuar me 13 futbollistë të ndryshëm, rekord aktual i këtij kampionati.

– Roma nuk ka lejuar goditje në kuadratin e portës së saj në tre ndeshje të këtij kampionati, më shumë se çdo skuadër tjetër.

– Përpara se të kalonte te Juventusi, Miralem Pjaniç ka numëruar 159 ndeshje dhe 27 gola të shënuar me bluzën e Romës. Në 10 vitet e fundit në Serinë A, boshnjaku është futbollisti që ka shënuar më shumë se kushdo tjetër me goditje dënimi, 14 gola.

– Paulo Dibala është futbollisti (përjashtuar portierët) që ka grumbulluar numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura në vitin diellor 2017, në Serinë A. Edhe pse në dy të fundit ai e ka nisur nga pankina, argjentinasi ka grumbulluar 38 prezenca.

– Edin Xheko ka shënuar vetëm një gol për Romën, në 10 ndeshjet e fundit të këtij kampionati, pasi kishte festuar shtatë të tillë, në pesë ndeshjet e para të Serisë A.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"