Allkanjari shpall “divorcin”: E mbyll këtu me Lushnjën
Arbër Allkanjari nuk do të jetë më pjesë e Lushnjës për sezonin e ri. Lajmin e konfirmoi për “Panorama Sport” vetë sulmuesi 28-vjeçar, i cili me sa duket nuk e shikon veten pjesë të ekipit për Superioren. Allkanjari luajti tri sezone radhazi me verdhejeshilët pas rikthimit nga Dinamo dhe tani i duhet të lëviz sërish. Ai ka qenë më së shumti një futbollist alternativ dhe pak herë ka luajtur si titullar dhe ndoshta ka qenë ky shkaku që e detyroi të shpallte “divorcin”.
“Nuk do të jem pjesë e Lushnjës për sezonin e ri, edhe pse dola në stërvitje me skuadrën. Do të vazhdoj karrierën me një ekip tjetër. Jam me parametra zero, pasi siç dihet te Lushnja kontratat janë sezonale dhe në dy muajt e verës të gjithë lojtarët janë të lirë, por unë nuk do të rinovoj. Kam parë dy oferta në Kategorinë e Parë. Do të vendos shumë shpejt, pasi dua që të sistemohem dhe të kryej fazën përgatitore të plotë. Lushnjës i uroj suksese në Superiore”, u shpreh Allkanjari.
Sulmuesi 28-vjeçar e mbylli sezonin “Roza Haxhiu” në finalen kundër Bylisit, ku luajti vetëm 21 minuta. Me shumë mundësi lushnjari mund të rikthehet tek Egnatia, ku dhe ka luajtur që në fillimet e karrierës së tij. Sikundër edhe është thënë, askush nuk ka rinovuar kontratë deri më tani në ekip, pasi kjo e drejtë i takon vetëm kryebashkiakut, i cili është edhe president i klubit.
Ndërkohë, skuadra ka mbyllur dy javë stërvitore nga përgatitjet e tyre, ndërsa e diela është lënë pushim. Të hënën skuadra do të rinisë sërish përgatitjet, ndërsa gjasat që fillimjava të shoqërohet edhe me lajmin e madh për nisjen e punimeve në stadiumin. “Roza Haxhiu” duhet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni për të plotësuar kriteret e vendosura nga FSHF-ja, pasi vetëm kështu mund të licencohen për Superioren.
Alban Alushi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"