Analiza e situatës/ Favorit nga “era e ndryshimit”, por Milanit i duhen përforcime
Zyrtarisht është i katërti, është në Champions, por jo të gjithë kanë për të jetuar të lumtur. Është efekti i dënimit të Juves, dhjetë pikë më pak, që rishkruan një renditje që nuk ka qenë kurrë kaq e shkurtër në zonën e nxehtë.
Nëse hierarkia do të ishte ajo e fushës, Milani do të ishte i pesti sot, dy pikë pas Interit dhe me Atalantën e Romën, që e ndjekin nga pranë. Për më tepër, pa asnjë siguri për të ardhmen. Është një gjë të shkosh në Ligën e Kampioneve dhe të konsiderosh të paktën pesëdhjetë milionë euro para se të nisësh, një tjetër gjë të hysh në një Ligë të Europës, e cila, me shpresë, u jep fituesve rreth 30 milionë ose pak më shumë.
Sidoqoftë, gjykimi i përgjithshëm nuk ndryshon: nuk ishte sezoni pas skudetos që priste Milani. Dhe tani duhet të vrapohet për t’u mbrojtur. Duke shkuar në Champions, gjithçka bëhet më e lehtë, por nuk do të jetë fushë me lule.
PRECEDENTË – Kampioni i fundit italian, që ra përtej vendit të katërt, ishte Juventusi njëzet e pesë vjet më parë. Në fakt “djalli” kishte bërë edhe më keq dy vjet më parë: nga titulli me Kapelon në ’96-ën në pozicionin e njëmbëdhjetë në sezonin pasardhës, i shënuar nga largimi tronditës i Tabarezit dhe thirrja në urgjencë e Sakit, i cili, megjithatë, nuk arriti të ngrejë ekipin pas ciklit ku pati dominuar. Me gjithë respektin, Milani i Piolit nuk tregon një epikë të krahasueshme me Juventusin e Lipit dhe Milanin e Saki-Kapelos.
Skuadra aktuale 12 muaj më parë fitoi kampionatin, teksa sivjet arriti një gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Dallimi mes kampionëve të kohës dhe interpretuesve të sotëm është i tmerrshëm, por edhe futbolli ka ndryshuar. Për të mos krijuar ndjesinë se viti 2022 ishte një episod i izoluar – por Pioli studioi për ta çuar këtë skuadër jo të jashtëzakonshme në krye – klubi duhet të ndërhyjë menjëherë.
Më mirë të shpenzohet pak më shumë sot sesa të humbet shumë nesër. Rrënjët janë të thella: Menja, Tonali, Leao, Benaser, një Çau më me përvojë dhe një Teo më pak i lodhur dhe më i fokusuar janë struktura mbi të cilat do të vendoset e ardhmja.
NDALOHEN GABIMET – Ende herët për të lexuar sezonin e ardhshëm, por skenari tashmë premton të jetë i padeshifrueshëm. Napoli do të ndryshojë trajner. Juvja mund të duhet të rinovohet për të ulur kostot. Lamtumira e Gasperinit me Atalantën është një hipotezë jo edhe aq pa bazë. Roma mund të humbasë efektin Mou.
Ndoshta vetëm Interi dhe Lacio do të rinisin nga bazat e konsoliduara teknike, por llogaritë e Zhangut duhet të rregullohen dhe investimet e Lotitos nuk do të jenë kurrë “galaktike”. Nga ana tjetër, dihet se nga italianët që kanë hyrë në marrëveshjen e “fair play” me UEFA-n, vetëm Milani ka nisur një rrugë të virtytshme që i lejon të shpenzojë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"