Andi Ribaj në provë te Partizani, në lojë edhe Mazrekaj
Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një ndeshje miqësore mes Partizanit B dhe Dinamos në kompleksin “Internacional” në Pezë. Takimi është fituar nga të kuqtë me shifrat 2-1 dhe golat janë shënuar nga 2 futbollistët e talentuar Vatnikaj dhe Jaupaj në minutat 20 dhe 35.
Kjo miqësore ishte e rëndësishme për Partizanin pasi që prej fillimit të saj u aktivizua sulmuesi Andi Ribaj, i cili është afruar te të kuqtë për t’u provuar dhe në rast se bind stafin teknik, atëherë do të qëndrojë për gjithë sezonin. Partizani po vuan në gjetjen e golit dhe është duke shqyrtuar çdo opsion të mundshëm për të përforcuar skuadrën në fazën ofensive.
Ndërkohë në këtë miqësore është aktivizuar si titullar edhe mesfushori Mentor Mazrekaj, çka do të thotë që ai e ka pranuar tashmë rolin e tij brenda skuadrës dhe i është bindur vendimit të stafit teknik për ta kaluar atë te ekipi B deri në një vendim të dytë. Para disa ditësh, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Mazrekaj mohoi të kishte një konflikt mes tij dhe stafit teknik.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"