Anel Dediç largimi i radhës, Teuta “peshkon” në Kosovë
Anel Dediç është futbollisti i radhës që mbyll aventurën me Teutën. Mesfushorit boshnjak i përfundoi kontrata me mbylljen e sezonit futbollistik 2017- 2018 dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur që të mos i ofrojnë rinovimin 27-vjeçarit. Ai zhvilloi një sezon të kënaqshëm, duke shënuar 7 gola në 29 ndeshje në Kategorinë Superiore, por pavarë- sisht formës së tij, bregdetarët kanë vendosur të mos i ofrojnë rinovimin boshnjakut, që ishte një forcë më shumë edhe për sulmin.
Pas largimit të tij, numri i futbollistëve të huaj në skuadër ka mbetur në tre: Ante Hrkaç, Bojan Gjorgjievski dhe Amadu Latif. Në fakt, të tre lojtarët janë nën kontratë dhe, falë performancave të tyre, kanë fituar besimin e drejtuesve për të qëndruar edhe një sezon në “Niko Dovana”. Projekti i ri do të bazohet rreth tyre, por edhe lojtarëve shqiptarë si Moçka, Hakaj, Shkalla, Kruja dhe Beqja. Ndërkohë, situata e mesfushorit të krahut, Arbër Çyrbja, është e paqartë, pasi kapitenit i përfundon kontrata dhe ka disa oferta të rëndësishme. Pas zyrtarizimit të mbrojtësit të majtë Edison Ndreca, si dhe trajnerit Bledi Shkëmbi, që zëvendësoi Gentian Begejën në pankinë, ekipi po fillon të marrë formë. Boshti i skuadrës do të ruhet, ndërsa do të ketë vetëm përforcime cilësore. Aktualisht, drejtuesit dhe trajneri i ri po punojnë për të afruar një mesfushor qendre dhe një krahu. Gjithashtu, prioritet për durrsakët është edhe një sulmues goli.
MERKATO – Shkëmbi ka disa kërkesa dhe emri i parë është kosovari Florent Avdyli. Mësohet se mesfushori që mbylli sezonin me Lirinë e Prizrenit mund të luajë edhe në rolin e qendërmbrojtësit, teksa gjasat janë që t’i bashkohet Teutës në ditët e ardhshme. Mediat kosovare raportojnë se trajneri Shkëmbi e kërkon me patjetër në skuadër Avdylin, pasi e njeh mirë gjatë aventurës së tij te Liria e Prizrenit. Afrimi i 24- vjeçarit do të ishte shumë i rëndësishëm për bregdetarët, që kanë humbur Ardit Hilën, i cili vendosi të largohej pas 3 vitesh. Drilon Xhepollari