Apolonia del zbuluar pas testit me Bylisin, duhen katër afrime për objektivin madhor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 15:40

Apolonia del zbuluar pas testit me Bylisin, duhen katër afrime për objektivin madhor

Testi i parë i Apolonisë kundër Bylisit, edhe pse i humbur me rezultatin 2-1, duket se ka sjellë përgjigjet e duhura rreth gjendjes aktuale të ekipit dhe pritshmërive të fierakëve për sezonin e ri.

BYLIS APOLONIA

Veç asaj që arritën të tregojnë lojtarët, stafi teknik e ka parë si të nevojshme afrimin e elementëve të tjerë, për të plotësuar më shumë skuadrën. Qëllimi, t’i japin trajnerit Artan Mërgjyshi një grup të plotë e cilësor për startin e sezonit 2024-2025. Në kushte të tilla dhe për të realizuar objektivin madhor, ngjitje në elitë, drejtuesit e merkatos së Apolonisë janë duke kërkuar për katër elementë të tjerë, të cilët do të plotësojnë skuadrën prej 25 lojtarësh cilësorë dhe dublojnë çdo pozicion. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se pas miqësores së 19 korrikut, drejtuesit e merkatos dhe stafi teknik kanë dalë në një konkluzionin të përbashkët:

Apolonisë i duhen edhe të paktën 4 afrime cilësore për të krijuar një grup konkurrues për sezonin e ri. Bëhet fjalë për një portier, një mbrojtës të djathtë, një mesfushor në fazën organizative dhe një sulmues. Lojtarë këta që janë vlerësuar si të nevojshëm edhe nga drejtuesit e klubit fierak. Në këto kushte, pritet që presidenti Koço Kokëdhima dhe të besuarit e tij për merkaton të bëjnë përzgjedhjet e duhura për të piketuar dhe afruar lojtarët e kërkuar nga stafi teknik. Ekipit i nevojitet një pikë tjetër referimi në majën e sulmit për të dubluar pozicionin e Umejiegos, ose një sulmues krahu që u përshtatet skemave të lojës dhe taktikave të fierakëve.

Për të kompletuar mbrojtjen, drejtuesit po shohin mundësinë e afrimit e një anësori të djathtë, i cili mbulon gjithë linjën, nga mbrojtja në sulm. Ekipit i duhet një mesfushor, i ashtuquajturi numër 6. Për momentin emrat nuk janë piketuar ose të paktën nuk bëhen publikë. Ajo që dihet është fakti se vetëm një prej tyre mund të jetë vendës, ndërsa të tjerët priten të jenë futbollistë të huaj, kryesisht nga shtetet e Afrikës.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"