Apolonia e nis merkaton nga porta, trajneri Mërgjyshi pjesërisht i kënaqur nga miqësorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 11:59

Apolonia e nis merkaton nga porta, trajneri Mërgjyshi pjesërisht i kënaqur nga miqësorja

Apolonia ka hedhur sytë për të përforcuar ekipin në të gjitha repartet, por prioritet është porta. Së fundmi ka dalë në stërvitje, dhe rrjedhimisht ka marrë minuta të konsiderueshme në miqësoren e parë të luajtur të premten kundër Bylisit, portieri Leonard Kaçaj.

MERGJYSHI

21-vjeçari shkodran, që sezonin e shkuar ishte në radhët e Besëlidhjes së Lezhës në Kategorinë e Dytë, shihet si një opsion për të mbrojtur portën fierake për këtë sezon. “Panorama Sport” mëson se palët kanë kryer bisedat e para për mundësinë e një bashkëpunimi, por më parë drejtuesit kanë vendosur që si portieri Kaçaj, por edhe ata që do të bëhen pjesë e Apolonisë do t’i nënshtrohen fillimisht fazës së testimit. Pra, zyrtarizimi i portierit shkodran varet edhe nga paraqitja e tij në seancat stërvitore apo në miqësoret që janë planifikuar të luhen në vijim. Emri i Leonard Kaçajt nuk është i vetmi që ka dalë në skenë në kampin fierak.

Një kandidat potencial për portën është edhe Henri Bega, që ka luajtur me Apoloninë U-19 në sezonet e fundit. Madje, është aktivizuar edhe në disa ndeshje me ekipin e parë. 17-vjeçari ka qenë ndër të parët që është lakuar fill pas largimit të portierit Romeo Harizajt nga fierakët në fund të sezonit. Bega shihet me optimizëm edhe për shkak të moshës së tij të re, pasi në klubin fierak nuk duan të marrin me moshë mbi 25 vjeç, përpos eksperiencës së tyre. Merkato është në kulmin e saj, mirëpo duhet pritur për të mësuar se cili do të jetë portieri që to t’i besohet mbrojtja e kuadratit të Apolonisë. E sigurt është se fierakët duan të marrin një “gardian” që ofron shumë siguri për portën.

Trajneri Mërgjyshi- Pas miqësores me Bylisin, që y fitua nga ballshiotët në shifrat 2-1, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte një takim që na vlejti për të parë grupin në tërësi, pasi ne vijmë nga pushimet. Ndërsa Bylisi ishte më i avantazhuar në këtë test, sepse ka nisur fazën më herët se ne. Jam pjesërisht i kënaqur, me këto pak seanca që kemi kryer. Kemi ruajtur ‘bërthamën’ e grupit, por duke ndjekur edhe politikat e klubit do të ndërtojmë një ekip simpatik. Do të punojmë shumë dhe unë kam besim se do t’ia dalim, pasi kemi kohën e mjaftueshme. Sigurisht edhe me përforcimet që do të vijnë do të jetë një Apoloni dinjitoze”. ,- tha Artan Mërgjyshi pas ndeshjes.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"