Apolonia e re bazohet te lojtarët nën kontratë, ja 15 futbollistët e “blinduar” nga klubi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 15:37

Apolonia e re bazohet te lojtarët nën kontratë, ja 15 futbollistët e “blinduar” nga klubi

Dështimi i objektivit Superiore ka sjellë edhe largimet e para tek Apolonia. Portieri Romeo Harizaj dhe mesfushori Stefano Omeri kanë shpallur “divorcin” me fierakët duke mos rinovuar sërish kontratën.

Apolonia grumbull 9

Shpresat e klubit për rindërtimin e skuadrës së re janë të lidhura ngushtë me kontingjentin që do të mbajnë, kryesisht ata që janë ende nën kontratë. Drejtuesit u kanë bërë “bllokadë” atyre që janë nën kontratë, pasi i sheh pjesë të projektit të ri. Deri tani asnjë lojtar nën kontratë nuk është larguar, edhe pse nuk përjashtohen “firo” në të ardhmen. Përjashtim mund të bëjë ndonjë lojtar që do të shitet dhe sjellë përfitim financiar në klub. Bëhet fjalë për 15 lojtarë, ku disa prej tyre kanë pasur rol të rëndësishëm në sezonin që lamë pas në Kategorinë e Parë.

Por edhe disa të tjerë që kanë luajtur më pak dhe që mendohet se e kanë marrë eksperiencën e duhur për të qenë konkurrues në të Parën. Ndër emrat më të rëndësishëm, shihen ato të Rubin Hebejës, Serjan Repajt, Ersildjo Asllanajt, Mateo Shanajt, Abjel Bejzades, Xhovalin Trifonit, Erald Maksutit dhe Umejiegos. Pa harruar portierin Aldo Bushi, mbrojtësin Ndubuisi dhe të rinjtë e akademisë, Enea Topi dhe Mikael Rakipaj në mesin e fushës. Shpresohet edhe te rikthimi i mesfushorit Jasin, pas një dëmtimi të gjatë, ndërsa në këtë listë janë edhe të rinjtë e ardhur vetëm në muajin janar, si Musa dhe Injehu. Bie në sy mungesa e një portieri me përvojë, por mësohet se klubi është i bindur për t’u besuar dy të rinjve, Henri Bega dhe Etem Xhemali.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"