Apolonia firmos me Shehajn, priten edhe dy përforcime
Drejtuesit e Apolonisë vazhdojnë të afrojnë lojtarë të rinj dhe cilësorë në përbërje të ekipit të tyre, duke u përforcuar për sezonin e ri futbollistik. Lojtari i radhës që ka firmosur për fierakët është Lorenc Shehaj, i cili ka luajtur në disa ekipe të Superiores dhe Kategorisë së Parë, ndërkohë që ka dalë nga Akademia e Flamurtarit.
21- vjeçari konsiderohet si një nga talentet vlonjatë të viteve të fundit, megjithatë në skuadrën e qytetit të tij nuk ka arritur të gjejë shumë hapësira, çka ka bërë që ai të kërkojë alternativa të tjera aktivizimi. Drejtuesit fierakë janë shprehur të kënaqur me arritjen e akordit me qendërsulmuesin, që sezonin e shkuar e ka mbyllur te Butrinti, duke qenë se i përshtatet edhe projektit që ata kanë për të ardhmen.
Shehaj ka nisur që nga dita e djeshme stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit dhe do të jetë një pikë referuese në sulmin e formacionit të trajnerit Demiraj, duke parë eksperiencën që ai ka. Numri i lojtarëve që kanë firmosur deri më tani me skuadrën ka shkuar në gjashtë dhe të gjithë janë në moshë të re.
Merkato
Por merkatoja e fierakëve nuk do të mbyllet këtu, pasi klubi vazhdon të jetë në bisedime me disa futbollistë të tjerë që shihen si alternativa për sezonin e ardhshëm futbollistik. Disa prej tyre janë afruar në skuadër dje, por më parë duhet të kalojnë provën e trajnerit Demiraj, i cili jep edhe miratimin e tij për firmosjen e kontratës.
Gjithashtu synohen edhe përforcime nga tregu i huaj. Me një mbrojtës dhe një sulmues, merkatoja e fierakëve mund të konsiderohet e mbyllur. Edhe pse pritshmëritë për sezonin e ri nuk janë shumë të mëdha, lojtarët deklarojnë se Apolonia do të jetë ekipi surprizë i grupit.
Kalendari
Ashtu si të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë edhe tek Apolonia janë duke pritur hedhjen e shortit nga ana e FSHF-së. Madje tifozët që ndjekin ekipin në seancat stërvitore janë shprehur mjaft të habitur nga kjo vonesë e paprecedentë.
MIKEL MBRIÇAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"