Apolonia “hyn në ujë” gjatë fazës në Korçë, stërvitje dhe zbavitje në pishinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2024 | 14:05

Apolonia “hyn në ujë” gjatë fazës në Korçë, stërvitje dhe zbavitje në pishinë

Fierakët janë grumbulluar prej tetë ditësh në qytetin e Korçës, ku po kryejnë minifazën përgatitore. Në kompleksin ku janë grumbulluar, ata kanë shfrytëzuar paraditen e djeshme pishinën.

apolonia stervitje

Ata kanë qenë të monitoruar nga trajneri Artan Mërgjyshi, pasi në programin e djeshëm stërvitor ishin të planifikuara disa ushtrime të karakterit fizik dhe rezistencës në ujë të futbollistëve. Ranë veçanërisht në sy duelet e shpejtësisë mes të gjithë lojtarëve, të cilët u ndanë fillimisht në shumë grupe, me nga dy lojtarë, njëri prej të cilëve me një top të madh brenda në ujë do të duhej të kalonte në anën tjetër të pishinës, pasi kështu do të shpallej fitues, ndërsa humbësi do të “dënohej” me 10 xhiro rreth pishinës. Këto ushtrime të zhvilluara zgjatën më shumë se 120 minuta dhe pas përfundimit të tyre, lojtarët u lanë të lirë të shijonin pishinën në mënyrën e tyre.

Përpos impenjimit sportiv, drejtuesit e Apolonisë vijojnë punën për të kolauduar ekipin sa më shpejt të jetë e mundur. Klubi po tregon kujdes në afrimin e mundshëm të lojtarëve dhe kjo gjë shihet qartë në faktin që deri tani vetëm janë interesuar për disa futbollistë, por me asnjërin prej tyre nuk kanë nënshkruar. Mund të konsiderohet ndryshe edhe si një proces studimi, ku të gjithë emrat që janë hedhur në tavolinë po “skanohen”  në funksion të ekipit. Llogaritë nisin nga shumat që ata kërkojnë për t’iu bashkuar skuadrës dhe deri te paraqitja që kanë pasur në sezonin e shkuar.

Në fund, por jo për nga rëndësia, tek Apolonia i kanë bërë “bllok” çdo informacioni, sado i vogël sa i përket ndërhyrjeve në merkato, në mënyrë që të mos “interferohen” nga klube të tjera. Mungojnë emrat e futbollistëve që po kontaktohen dhe vetëm kur të jenë fakt i kryer do të zbulohen. Ajo që dihet për momentin është afrimi i mundshëm i lojtarëve të rinj, vendas dhe të huaj. Apolonia është një nga skuadrat më besnike ndoshta edhe nga më promovueset e të rinjve, të cilët fillimisht aktivizohen me U-19 ose U-21, më pas përfshihen në ekipin e parë, e në fund shiten për shuma të konsiderueshme.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"