Apolonia merkato me dy faza, ja ku nevojiten përforcimet në prag të sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 15:12

Apolonia merkato me dy faza, ja ku nevojiten përforcimet në prag të sezonit të ri

Bilanci i merkatos së Apolonisë është negativ për momentin, pasi ka pasur vetëm largime pa asnjë afrim. Një gjysmë formacioni e ka mbyllur menjëherë bashkëpunimin me klubin fierak pas përfundimit të sezonit që shkoi.

apoloniaa

Mes të larguarve ishin dy titullarë të rëndësishëm dhe lojtarë që nuk kanë pasur aktivizim të rregullt. Drejtuesit e Apolonisë janë optimistë se deri në fund të merkatos do ta kenë kompletuar skuadrën, me të cilën do të kërkojnë vendet e para të renditjes, me qëllim ngjitjen direkte në Superiore. Për këtë, fierakët kanë në plan një strategji të mirëfilltë me dy faza të merkatos, që ka nisur të konkretizohet. Prej 17 qershorit, Apolonia është zhvendosur në Korçë, ku pos zhvillon një minifazë përgatitore deri në fund të muajt. Apolonia ka pasur çdo ditë në fushë lojtarët nën kontratë, plus 12-13 lojtarë të grupmoshave U-19 dhe U-21, të cilët janë në provë të përditshme për t’u bërë pjesë e ekipit të parë.

Dy të parët që kanë kaluar me sukses provën janë mesfushorët Musa dhe Injehu, të cilët kanë rinovuar menjëherë kontratën. Formacioni bazë është plotësuar gjithsesi. Për portën janë në dispozicion Bushi dhe Bega; për mbrojtjen Hebeja, Ndubuisi, Repaj, Asllanaj dhe Topi; në mesfushë Shanaj, Bejzade, Jasin, Musa dhe Injehu; në sulm Culli, Trifoni, Maksuti dhe Umejiego. Fierakët presin edhe 4 lojtarë me kualitet që të rritin ndjeshëm forcën e skuadrës, pra nga një për çdo repart. Qëllimi është që ndonjëri nga këta lojtarë të bashkohet me ekipin para datës 22 korrik, që mendohet të jetë dita e parë e fazës përgatitore.

FAZA NË FIER- Nga 22 korriku e në vazhdim Apolonia do të vijojë punën në Fier, për të vazhduar fazën përgatitore në kushte shtëpie në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Katër javë stërvitje intensive dhe disa ndeshje miqësore do ta ndihmojnë stafin teknik që të kolaudojë formacionin. Apolonia do të ketë disa vende bosh kur të rikthehet në Fier, të cilat do të plotësohen me lojtarë që do të afrohen pikërisht gjatë fazës intensive. Janë lojtarë që mund të konsiderohen edhe si alternativa, por askush nuk ua heq atyre të drejtën të synojnë formacionin, nëse kanë kualitetin e nevojshëm. Vëmendja aktualisht është tek afrimi i një portieri dhe qendërmbrojtësi me eksperiencë, një mbrojtësi të djathtë, një mesfushori për pozicionin e numrit 6 dhe një sulmues që mund të përshtatet në të dy krahët.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"