Apolonia ndryshon axhendën, ja kur nis stërvitja e fierakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2024 | 12:45

Apolonia ndryshon axhendën, ja kur nis stërvitja e fierakëve

Ishte menduar që pas minifazës në Korçë, Apolonia do të pushonte për tri javë, por plani ka ndryshuar pasi sezoni i ri nis më 24 gusht.

apoloniaa

Kështu, Apolonia do të nisë të hënën në orën 19:00 përgatitjet në kuadër të edicionit të ri. Gjatë kësaj jave lojtarët kanë kryer vizitat mjekësore dhe më pas testimet fizike, për t’ia lënë vendin në fund stërvitjes intensive me shpresën që të jenë në formën maksimale kur të nisë kampionati. Pritet që në stërvitje të dalin vetëm lojtarët që janë kontaktuar nga klubi dhe që shihen pjesë e Apolonisë për sezonin e ri. Përveç të larguarve të deklaruar, ekziston një listë spastrimesh në kampin fierak dhe numri nuk është i pakët.

Edhe pse deri në këto momente nuk ka asnjë zyrtarizim sa u përket lojtarëve të mundshëm që mund të afrohen, drejtuesit janë duke punuar çdo ditë për të mbyllur shpejt tratativat, me qëllimin për t’i dhënë trajnerit Artan Mërgjyshi një ekip të kompletuar. Më 15 korrik, kur të nisë zyrtarisht faza përgatitore në Fier, stafi do të kenë një grup të plotë ku do të shtohen edhe futbollistët që do të vijnë në provë. Faza përgatitore edhe këtë sezon do të zhvillohet në Fier, aty ku Apolonia duket se ka kushtet e favorshme sa i përket klimës, qoftë edhe terreneve përkatëse dhe bazës materiale duke kursyer kështu shpenzime ekstra sa i përket gjetjes së një tjetër ambienti jashtë vendit.

Në lidhje me merkaton, fierakët do të ndjekin të njëjëtën strategji si vitin e shkuar. Do të jetë një grup i zgjeruar lojtarësh që do të teston në stërvitje nga stafi teknik dhe më pas do të vendoset se cili prej tyre plotëson kriteret e Apolonisë. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga drejtuesit e merkatos, që bënë me dije për “Panorama Sport”, se prej 15 korrikut do të jenë në Fier të gjithë futbollistët ose pjesa më e madhe e atyre që mund të jenë pjesë e Apolonisë për sezonin e ri. Kjo do të jetë strategjia edhe për këtë vit dhe më pas trajneri Artan Mërgjyshi do të vendosë se kush do të qëndrojë. Pritet që të gjithë lojtarët të kalojnë në sitën e stafit bardhejeshil për të njohur të ardhmen e tyre për sezonin e ri.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"