Apolonia nis goditjet, firmos shkodrani Erkoçeviç
Apolonia bën goditjen e parë në këtë merkato janari. Fierakët kanë vendosur dje që të afrojnë sulmuesin Bekim Erkoçeviç. Shkodrani, i cili qëndroi për një javë në provë me skuadrën fierake, arriti që të bindë stafin teknik dhe drejtuesit. Ai firmosi dje një kontratë 3-vjeçare me Apoloninë. Në këtë mënyrë, fierakët realizojnë edhe objektivin e tyre të kësaj merkato: afrimin e një sulmuesi. Trajneri Elidon Demiraj u kishte bërë të ditur drejtuesve të klubit se ekipit i nevojitej vetëm një sulmues cilësor në repartin e avancuar. Pasi e ka ndjekur Erkoçeviç në seancat stërvitore dhe në dy miqësore, është vendosur që shkodrani të veshë fanellën bardhejeshile.
Erkoçeviç 21-vjeçari është rritur tek akademia e Vllaznisë dhe për një sezon ka qenë pjesë e kuqebluve. Më pas, Erkoçeviç ka provuar të luajë te Burreli dhe Ada. Madje te velipojakët ka qenë sulmuesi kryesor sezonin e kaluar. Pas aktivizimesh në ekipe të një niveli mesatar, tashmë Erkoçeviç ka bërë kalimin në një prej skuadrave kryesore për t’u rikthyer në Superiore. Shkodrani qëndroi për një javë në provë te fierakët dhe tashmë ka firmosur me ekipin e tij të ri.
Të afruarit Gjatë këtyre ditëve tek Apolonia janë afruar shumë futbollistë për t’u provuar. Mirëpo, thuajse të gjithë janë larguar pas 2-3 ditësh, pasi nuk kanë arritur të bindin. Në miqësoren e së shtunës, me fierakët u aktivizuan edhe dy të vetofruar për provë. Aldo Hima i ardhur nga Naftëtari dhe shkodrani Gazmir Muriqi bënë një paraqitje të mirë ndaj Orikumit. Megjithatë, për ta nuk ka një vendim përfundimtar. Duket e vështirë që fierakët të nënshkruajnë me ndonjë futbollist tjetër. Synimi i stafit teknik ishte vetëm një sulmues cilësor dhe me afrimin e Erkoçeviç duket se merkato është mbyllur. Ndërkaq, për sa u përket largimeve, nga skuadra fierake janë larguar dy lojtarë. Bëhet fjalë për dy maqedonasit Vasilevski dhe Tripunovski, të cilët nuk bindën gjatë fazës së parë dhe në këtë mënyrë u larguan nga drejtuesit fierakë. Presidenca ka bërë të ditur se nuk do të ketë më largime nga skuadra. Aktualisht, ekipi renditet në vendin e 2-të me 31 pikë, dy më pak se Elbasani i vendit të parë dhe synojnë rikthimin në Kategorinë Superiore.
MIKEL MBRIÇAJ