Apolonia “shënjestron” lojtarët pa kontrata, merkato hermetike te fierakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 14:15

Apolonia “shënjestron” lojtarët pa kontrata, merkato hermetike te fierakët

Apolonia ndodhet në periudhë pushimesh. Lojtarët nën kontratë janë lënë të lirë fill pas mbylljes së minifazës përgatitore, të zhvilluar prej dy javësh në qytetin e Korçës.

apoloniaa

 Gjasat janë që faza e mirëfilltë përgatitore të nisë në fundin e korrikut, por ende pa një datë të konfirmuar. Mirëpo, e njëjta gjë s’mund të thuhet për klubin dhe drejtuesit, të cilët janë në një fazë intensive. Stafi dhe drejtuesit janë duke piketuar lojtarët që do të afrojnë në merkato, teksa të gjitha “kartat” janë hapur në tryezë dhe një mori emrash po kalohen në “sitë”. Burime pranë klubit fierak, bëjnë me dije për të “Panorama Sport” se nuk kanë ndërmend të nxitohen në këtë situatë për të firmosur me lojtarët që kanë kontaktuar dhe të tjerë që mund të kontaktohen.

Po këto burime zyrtare pranë klubit konfirmojnë se do të kontaktohen vetëm ata lojtarët që janë të lirë në këtë periudhë merkatoje. Përpos dëshirës dhe mundësisë që kanë nga ana financiare për të afruar çdo lojtar që u nevojitet, në klub theksojnë se këtë rregull nuk do ta thyejnë as në këtë merkato. Për momentin gjithçka është në fazën e lëshimit të emrave të parë në tryezë dhe do të ngrihet një grup pune me trajnerin dhe drejtuesit për të pikasur ata që mund t’i mundësojnë pikërisht arritjen e objektivave. Thuhet kështu, pasi edhe objektivat do të jenë madhorë për këtë skuadër që militon për të katërtin sezon radhazi në Kategorinë e Parë. Vetëm “play off”-i në të Parën duket se u rri “ngushtë” fierakëve, të cilët do të pretendojnë më shumë, pse jo, rikthimin në elitë pas katër vitesh.

Me kontingjentin aktual në kampin fierak e kanë të qartë se nuk mund të pretendojnë shumë dhe për këtë arsye shpresa e vetme për të krijuar një ekip konkurrues dhe pretendent është merkato e verës. Për hir të së vërtetës, fierakët kanë nevojë në të gjitha repartet për përforcime dhe rrjedhimisht pritet që ndërhyrjet të jenë “kapilare” nga klubi. Mungojnë emrat e futbollistëve që po kontaktohen dhe vetëm kur të jenë fakt i kryer ata do të bëhen të njohur. Në fund, por jo për nga rëndësia, duke qenë se sezonin e kaluar shumë lojtarë të afruar në merkato s’rezultuan në nivelin e pritshëm, për afrimet e reja këtë sezon, natyrisht do të ketë një “sitë” përpara se të firmosin me ekipin.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"