Apolonia, tripletë në merkato
Janë dashur orët e fundit të merkatos që Apolonia të godasë. Klubi fierak ka arritur dje marrëveshjen me tre futbollistë, që do të jenë pjesë e skuadrës në vazhdim. Kështu, është huazuar nga Tirana mbrojtësi i majtë, Endrit Idrizaj, por është zyrtarizuar edhe rikthimi i sulmuesit Andi Ribaj, i cili firmosi për 6 muaj. Afrimi i dy futbollistëve është paralajmëruar nga “Panorama Sport” disa ditë më parë. Problem ka qenë vetëm marrëveshja me Ribajn, për shkak se sulmuesi ishte në bisedime me klubin austriak, Kapfenberg. Gjithsesi, ai vendosi ta vazhdojë karrierën te skuadra e vendlindjes, në një kohë që mundësia për t’u transferuar në Austri mbetet e hapur për merkaton e verës. Po dje, drejtuesit fierakë zyrtarizuan afrimin e mbrojtësit Izmir Balaj. Bëhet fjalë për një 20-vjeçar, i cili pjesën e parë të sezonit luajti te Besa në Kategorinë e Parë. Afrimi i tij është një zgjedhje e trajnerit Artan Mërgjyshi, teksa shkodrani ka firmosur një kontratë 4-vjeçare. Me shumë mundësi, sot në takimin kundër Partizanit do të luajnë që nga minuta e parë mbrojtësi Idrizaj dhe sulmuesi Ribaj. Mërgjyshi – Apolonia luan sot një ndeshje delikate për sigurimin e mbijetesës, ku në shtëpi presin Partizanin. Trajneri Artan Mërgjyshi, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh se Apolonia duhet të sakrifikojë në fush- ën e lojës. “Takimi ndaj Partizanit do të jetë i vështirë, por ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër veç fitores. Për vetë pozitën e vështirë në të cilën ndodhet Apolonia, skuadra duhet të sakrifikojë, pasi nga kjo ndeshje vetëm fitorja na bën punë. Skuadra është përgatitur maksimalisht gjatë gjithë javës për këtë sfidë, kështu që lojtarët duhet të kryejnë sa më mirë detyrat e ngarkuara. Partizani është ekip i fortë dhe me kualitete. Por kjo nuk do të thotë që të vlerësojmë kundërshtarin dhe të nënvlerësojmë vetveten. Përkundrazi, skuadra është e motivuar dhe do të kërkojë vetëm tripikëshin. Unë kam besim te grupi dhe ata do të dinë të tregojnë vlerat reale të Apolonisë duke bërë kthesën e shumëpritur nga të gjithë”, u shpreh trajneri Artan Mërgjysh
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"