Arrihet akordi, Taku: Edhe për një vit te Tirana. Nuk është pak që tifozët të të duan
Tirana arrin akordin me Afrim Takun. Mesfushori do të jetë edhe për një vit pjesë e bardhebluve. Pas takimit të zhvilluar dje me drejtuesit, futbollisti ka gjetur gjuhën e përbashkët edhe për pjesën financiare, që do të përmbyllet shpjet me firmë. Të dyja palët janë tërhequr nga pretendimet e tyre, duke e përmbyllur këtë operacion me sukses. Një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë klubi në faqen zyrtare, teksa thotë: “Tirana vetëm para pak momentesh ka gjetur akordin zyrtar me futbollistin Afrim Taku. Tratativat me sponsorin Halili janë mbyllur me sukses. Taku ka shtrënguar duart me drejtuesit bardheblu dhe tani firma në kontrate është vetëm një formalitet për t’u kryer. Me rinovimin e Takut, lojtar me shumë vlera për kampionatin shqiptar, Tirana përforcon radhët në repartin defensiv. Rinovimi me futbollistin bardheblu vjen dhe si një dhuratë e radhës për tifozët e Tiranës që e donin Takun pjesë të skuadrës edhe për faktin se është produkt i klubit tonë”. Vetë futbollisti është i kënaqur për arritjen e marrëveshjes. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Afrim Taku falënderon edhe tifozët, pasi insistimi i tyre solli edhe rinovimin e kontratës së tij.
Taku, mbeteni zyrtarisht te Tirana. Si ndiheni pas arritjes së akordit?
Pa dyshim i lumtur. Jam në shtëpi dhe kjo është më e rëndësishmja. E pata deklaruar edhe më herët se Tirana është zgjedhja ime e parë. Kjo fanellë nuk mund të ndërrohet me asnjë tjetër. Ndihem shumë mirë, pasi do të kem mundësinë që edhe këtë sezon të jap kontributin tim për bardheblutë.
Çfarë kontrate do të nënshkruani?
Marrëveshja do të jetë 1-vjeçare. Do të firmos kontratë këtë sezon.
U përfol në fakt që në dhjetor mund të ktheheni sërish në Amerikë, mbetet ende si opsion?
Fola me drejtuesit dhe gjeta akordin. Siç e thashë edhe më lart, për një sezon do të jem pjesë e Tiranës. Kjo është e rëndësishme. Të tjerat le t’ia lëmë kohës.
Në takimet e mëparshme me drejtuesit nuk gjetët akordin financiar. Çfarë ndryshoi tani?
Gjetëm të mesmen e përbashkët.
Që do të thotë…
Si klubi, ashtu edhe unë ulëm pretendimet tona. Në fund mbetëm të kënaqur të dyja palët. Ajo që vlen mbi të gjitha është që unë do jem pjesë e bardhebluve.
Insistimi i madh i tifozëve në rrjetet sociale solli një përmbysje të situatës, si ndihet një futbollist kur ka mbështetjen e sportdashësve?
I falënderoj pa fund. I kam ndjekur dhe më duhet ta pranoj që përkrahja e tyre më dha realisht zemër. Nuk është pak që tifozët të të duan, ndaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse këtë vlerësim t’ua shpërblej në fushë.
E keni ndjekur Tiranën gjatë kësaj kohe?
Pa dyshim, ndonëse në distancë. Jam informuar për gjithçka.
Si e gjykoni ekipin e ndërtuar?
Besoj se ky do të jetë sezoni ynë. Është ndërtuar një ekip pretendent dhe mendoj se titulli do të vishet bardheblu. Është bërë një merkato cilësore dhe me shumë emra, që çdo ekip do t’i donte, ndaj kam bindjen se këtë vit do të arrijmë shumë.
Privatizimi ende pezull, sponsorët presin zyrtarizmin
Pas një sezoni ndër më të dobëtit në gjithë historinë e vet, ku rrezikuan seriozisht rënien nga kategoria, te Tirana këtë vit kanë përveshur mëngët. Madje në harkun kohor të diçka më shumë se një muaji afruan plot 13 futbollistë, tre prej tyre lojtarë të ekipit kombëtar. Emra si Bulku, Curri, Bakaj, Bushiç, por edhe shumë të tjerë, dëshmojnë hapur që këtë vit bardheblutë synojnë vetëm titullin. Për këtë arsye në klub kanë në plan që të bëjnë një prezantim zyrtar të ekipit për sezonin 2014-2015 përpara mediave. Por, sikundër raporton edhe “Super Sport”, e gjithë kjo procedurë ka mbetur pezull prej bashkisë. Klubi po pret fillimisht që të zyrtarizohet kalimi i klubit në duart e aksionerëve. Deri më tani kanë bërë kërkesat e tyre zyrtare për të përfituar përqindje nga aksionet Refik Halili, Lutfi Nuri dhe Julian Morina. Pa u mbyllur e gjithë procedura e privatizimit dhe sponsorët të konfirmohen si drejtuesit e rinj, ende nuk mund të bëhet prezantimi para mediave. Kujtojmë që në fund të qershorit, konkretisht më datë 27, u vendos me shumicë votash që Tirana do të menaxhohet për 18 vitet e ardhshme nga aksionerë. Përtej punës së bërë nga donatorët, që do të jenë edhe aksionerët e ardhshëm të klubit, ende nuk janë zyrtarizuar afrimet e reja si dhe zgjatjet e kontratave të futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar, për shkak se nuk figurojnë si vendimmarrës zyrtarë të klubit. Kjo situatë pritet të zgjidhet javën e ardhshme, kur nga Bashkia e kryeqytetit të mbyllet kjo procedurë, e cila po zgjat për afro dy muajsh.
Klubi shpalos projektin afatgjatë për bardheblutë
Klubi bardheblu ka shpalosur një ditë më parë zyrtarisht projektin për një Tiranë afatgjatë. Një plan që konfirmon se nuk po mendohet vetëm për një sezon, por më gjatë se kaq. Pretendim mbetet pa dyshim titulli kampion dhe për këtë kontratat e firmosura janë mbi 2-vjeçare. “Tirana përgatit sezonin e ri futbollistik me synime madhore dhe me një projekt afatgjatë. Futbollistët e afruar gjatë merkatos kanë firmosur kontrata disavjeçare. Lojtarë si Karabeci, Malaj, Frasheri, Idrizaj, Olaki, Kagere kanë firmosur për 3 vite, ndërsa kapiteni Bulku dhe Bushiç nga 2. I riu Alush Gavazaj ka nënshkruar për 4 vite. Të tjerë do të rinovojnë për të zgjatur bashkëjetesën me klubin bardheblu”, deklaron klubi.
ADELA MERKO