As shiu nuk ndal festën, Lojërat Olimpike hapen me një ceremoni spektakolare në Paris

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2024 | 8:50

As shiu nuk ndal festën, Lojërat Olimpike hapen me një ceremoni spektakolare në Paris

“Paris 2024”, edicio ni i 33-të i Lojërave Olimpike, është zyrtarisht i hapur. Në kryeqytetin francez është zhvilluar dje ceremonia, që për herë të parë në histori u mbajt e hapur, jashtë stadiumit.

assaadasad

Një ceremoni spektakolare e zhvilluar përgjatë Lumit Senë dhe në sheshin “Trokadero”. Një event madhështor me stil francez që mblodhi yje të sportit, muzikës, kinematografisë dhe drejtues shtetesh, ndërsa 85 varka bënë parakalimin gjatë lumit, me 206 delegacione në bord. Greqia parakaloi e para, ndërsa ylli i NBA-së, Janis Antetokounmpo, ishte mbajtësi i flamurit grek.

Pas tyre parakaloi Ekipi Olimpik i Refugjatëve i përbërë nga 37 sportistë, me flamurmbajtëse Cindy Ngamba. Boksierja jeton në Bolton, por nuk ka mundur t’i përfaqësojë britanikët, pasi nuk ka nënshtetësi. Më tej ishte radha e ekipit olimpik të Shqipërisë, që në mungesë të Luiza Gegës, e cila do të mbërrijë në Paris pas disa ditësh, flamurmbajtësit kuqezi në paradë ishin notarja Kaltra Meça dhe mundësi Zelimkhan Abakarov.

Një ceremoni që zgjati rreth katër orë, ndërsa me kalimin e minutave nisën të bëheshin më të dendura edhe reshjet e shiut. 40 mijë postblloqe, 45 mijë agjentë dhe 18 mijë ushtarë blinduan Parisin në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike 2024, e cila konsiderohet me sigurinë më të lartë të realizuar ndonjëherë për një event.

Parakalimi i delegacionit të Izraelit dje në Senë u shoqërua me vërshëllima “ nga publiku i shpërndarë me urës “Austerlitz” dhe urës “Sully”. Por zhurmat më pas u sfumuan shpejt nga entuziazmi i delegacionit italian, që ndodhej në të njëjtën barkë me Izraelin, së bashku me Xhamajkën dhe Japoninë, teksa nisën brohoritjet: “Itali, Itali”.

Krejt e kundërta ndodhi gjatë parakalimit të delegacionit të Palestinës, i cili u shoqërua me duartrokitje unanime nga i gjithë publiku, që i rezistoi shiut duke qëndruar në brigjet e Senës. Tetë sportistë, të cilët do të konkurrojnë në gjashtë disiplina, me flamuj të lagur në duar por me shumë entuziazëm, u pritën me ovacione të mëdha.

Në parakalim, siç pritej, munguan Rusia dhe Bjellorusia, teksa sportistët e këtyre dy shteteve do të përfaqësohen me flamuj neutralë. Pas fjalimit të Tomas Bah, kreut të IOC, Presidenti i Francës, Emanuel Makron e shpalli Olimpiadën të hapur. Lojërat Olimpike janë evenimenti më madhor i sportit dhe do të vijojnë deri më 11 gusht. Në “Paris 2024” do të zhvillohen 329 evente në 32 sporte, ndërsa do të konkurrojnë 10 mijë e 714 sportistë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"