Asnjë afrim deri tani, Teuta me fokusin te mbrojtja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 18:25

Asnjë afrim deri tani, Teuta me fokusin te mbrojtja

Klubi i Teutës deri tani është fokusuar tek ajo pjesë e lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në projektin e sezonit të ardhshëm. Nga “Djemtë e Detit” janë larguar zyrtarisht mbrojtësi Harallamb Qaqi dhe sulmuesit Realdo Fili dhe Rodrigo Fasut. Rrugën e tyre pritet ta ndjekin edhe të tjerë, të paktën edhe dy lojtarë, por emrat nuk janë përcaktuar ende. Një pjesë e mirë e titullarëve të sezonit të shkuar, të cilët janë në konkrant me Teutën, do të vazhdojnë me ekipin durrsak. Edhe vetë këta lojtarë nuk kanë nguruar ta bëjnë publike dëshirën për të qëndruar në “Niko Dovana”. Ata presin vetëm sinjalin që skuadra të nisë përgatitjet verore.

teuta

MBROJTJA PËRPARËSI – Nëse largimet do të bëheshin 5, atëherë edhe nevoja në merkato do të ishte po për kaq lojtarë, sepse numri duhet të jetë po ai. Deri tani Teuta nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim në merkato, ku këtë herë pritet që përforcimet të jenë cilësore. Në fakt, bisedime ka pasur, por asgjë konkrete deri në këto momente. Stafi teknik po ndjek futbollistë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për të konkluduar më pas me firmat e tyre.

Përparësi në merkaton durrsake është përforcimi i mbrojtjes, një repart ku Teuta ka vuajtur shumë gjatë kampionatit të fundit. Situata u stabilizua disi pas merkatos së janarit, por sërish është e qartë se durrsakët e kanë të nevojshëm afrimin e lojtarëve mbrojtës. Stafi teknik nuk do që të nxitohet për të mos gabuar, por edhe koha në fakt po limitohet, sepse javën e parë të korrikut fillon stërvitja. Trajneri Edi Martini kërkon ta ketë grupin e gatshëm sa më parë. Teuta pritet të qëndrojë disa ditë në Durrës dhe më pas do të udhëtojnë në një vend më të freskët, për të vazhduar fazën përgatitore dhe zhvilluar disa ndeshje miqësore që shërbejnë për kolaudimin e formacionit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"