“Asnjëherë nuk do luaj për Partizanin”, rrëfimi special i Çelhakës: Jam tifoz i Milanit, Muka futbollisti më i mirë që ka veshur fanellën e Tiranës
Jurgen Çelhaka është padyshim një nga talentet më premtues të Kategorisë Superiore. Vetëm 20-vjeç, mesfushori është shndërruar në një lider te skuadra bardheblu, teksa ishte protagonist absolut sezonin e shkuar, kur Tirana u shpall kampion. Klubi kryeqytetas ka prezantuar sot një risi mediatike, ku Çelhaka në shoqërinë e zëdhënëses për shtyp, e cila ishte në rolin e moderatores, iu përgjigj pyetjeve të drejtuar nga tifozët në faqet zyrtare të rrjeteve sociale.
Mesfushori 20-vjeçar, i cili është pjesë edhe e Kombëtares Shpresa, nëpërmjet kësaj rubrike interesante, ndër të tjera zbuloi idhullin e tij, skuadrën europiane që bën tifo, si dhe shumë gjëra të tjera, ndërkohë që guxoi t’iu premtonte tifozëve bardheblu që nuk do ta vishte kurrë fanellën e Partizanit.
Idhulli në futboll- Idhulli im është Andrea Pirlo. Mendoj që është mesfushori më i mirë në historinë e futbollit, prandaj mbaj dhe numrin 21.
Roli- E kam nisur karrierën si mbrojtës i djathtë pastaj kur kam ardhur te Tirana më kaloi profesor Lushku mesfushor, më pëlqeu si pozicion dhe ngela aty.
Sa e ndjen fanellën e Tiranës- Më kanë pyetur shumë se sa e ndjen ti Tiranën. Unë vij nga akademia, me të vërtetë e ndjej shumë. Është si familje e dytë, jam rritur aty.
Zgjedhja në fëmijëri- Tirana ka qenë zgjedhja ime dhe e prindërve. Edhe lagjja ku jetoj janë tifozë të Tiranës.
Ndjenjat që ndjen kur vesh fanellën e Tiranës- Emocion i veçantë të vesh fanellën e Tiranës, sidomos në Air Albania, ku kujtojmë ato ndeshje ndaj Partizanit që fituam 1-2. Në nxemje po më merrej pak fryma. Pastaj është ndjenjë shumë e bukur. Shpresoj që tifozët të rikthehen sa më shpejt në stadium, se na mungojnë. Tifozët na bëjnë që të japim më shumë në fushë.
Gol i parë me Tiranën– Dy gola kam shënuar gjithsej me Tiranën. Të parin e kam shënuar në Kupë ndaj Shënkollit, kemi fituar 4-0, ndërsa të dytin ndaj Laçit.
A i je dedikuar ndonjë personi? Vetëm futbollit i jam dedikuar. Jam i dashuruar me futbollin.
Dieta për të mbajtur trupin në formë– Nuk mbaj djetë të caktuar. Jam mësuar të ha karbohidrate, supra, etj. Mami më gatuan çdo gjë çfarë kërkoj unë. Më shumë te karbohidratet.
A do firmosje me Partizanin– Nuk e mendoj fare Partizanin. Në këtë moshë jo e jo, por mendoj që asnjëherë nuk do luaj për Partizanin, për respekt të tifozëve edhe të klubit që më ka ndihmuar të jem këtu që jam. Vetëm po më larguan vetë do iki nga Tirana.
Ushqimi i preferuar- Pastiçoja që bën mami im. Por që se ha shumë shpesh.
Lojtari më i miri që ka veshur fanellën e Tiranës– Unë mendoj që është Dejvi Muka. Ka shumë patjetër, por me çfarë dëgjoj edhe nga çunat, se nuk kam parë shumë, se kam qenë i vogël, thonë që ka qenë më i miri dhe e zgjidhte ndeshjen kur donte ai. Kur donte shënonte, kur nuk donte jo. Ishte lojtarë shumë i veçantë.
Këshillat e Dejvi Mukës- E ndjen shumë fanellën, na ka dhënë një dorë të madhe ne të rinjve. Mendoj që është njeri shumë i mirë.
Skuadra Europiane që bën tifo – Gjithë jetën kam qenë me Milanin, pasi edhe babin e kam pasur me Milanin, kjo ka qenë skuadra që kam pasur përherë në zemër.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"