Atanda–Alla-Marku, Flamurtari godet tri herë. Ish-presidenti Gjika elozhe për afrimin e nigerianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 12:11

Atanda–Alla-Marku, Flamurtari godet tri herë. Ish-presidenti Gjika elozhe për afrimin e nigerianit

Sodiq Atanda është zyrtarisht mbrojtësi më i ri i Flamurtarit. Lajmi i zbuluar në fundjavë nga “Panorama Sport” është konfirmuar, ndërsa 30-vjeçari nigerian u prezantua dje nga djali i administratorit Sinan Idrizit, Ensari, që këtë sezon mori në dorë frenat e merkatos së klubit së bashku me drejtorin Artim Pollozhani.

atandaa

Atanda në Vlorë, ishte një kërkesë e trajnerit Andrea Agostineli, që u plotësua nga Idrizi, ndërsa negociatat me të i realizoi Pollozhani. Nigerianin që ka pasaportë shqiptare, kështu që nuk llogaritet si i huaj në fushën e lojës, është njohës i mirë i futbollit shqiptar. Atanda kreu testet mjekësore në klinikën e mjekut kardiolog Metlli Deraj, ku janë parë të gjithë parametrat dhe ka rezultuar pa probleme. Më pas, menjëherë hodhi firmën në kontratë dhe u prezantua nga klubi. Pas këtyre procedurave udhëtoi drejt Pogradecit për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Andrea Agostineli.

GJIKA PËR NIGERIANIN- Nëse ka një njeri që i dhimbset Flamurtari, ai është Shpëtim Gjika. Ish-presidenti është aktiv gjithmonë, kur bëhet fjalë për skuadrën. Kritikon kur gjërat nuk shkojnë, por edhe lavdëron kur vjen puna për zhvillime pozitive. Gjika e cilëson Atandën si një lojtar që vlen. Këtë gjë ai e shprehu me komentet e lënë në faqen e klubit në “Facebook”, sapo u prezantua nigeriani. “Lojtar që vlen dhe besoj se do të bëjë mirë”, shkruan ish-kryebashkiaku Gjika.gjika

ALBI ALLA- Pas prezantimit të Sodiq Atandës, vlonjatët kanë bërë goditjen e radhës në merkato, duke “blinduar” fazën difensive. Pikërisht bëhet fjalë për rikthimin e një ish-lojtari me shumë eksperiencë, Albi Alla. 31-vjeçari i bie që të rikthehet pas 6 sezonesh në Vlorë dhe kështu kuqezinjtë përforcojnë edhe repartin me më pak alternativa në edicionin e kaluar, qendrën e mbrojtjes. Ma afrimin e mbrojtësit Alla shkon në dhjetë numri i afrimeve të kryera deri tani nga Flamurtari në merkaton e verës. Në sezonin e fundit Alla ka qenë pjesë e Teutës, por ka qenë i pafat, ku për shkak të një dëmtimi mbeti shumë kohë jashtë fushave të blerta.

HERALD MARKU- Nuk ka të ndalur Flamurtari në merkato. Pas prezantimit të Atandës dhe Allës, vlonjatët kanë siguruar edhe shërbimet e një mesfushori me eksperiencë Herald Marku. 28-vjeçari ka firmosur për dy vite me Flamurtarin, gjë të cilën mesfushori qendror e ka pranuar vetë mbrëmë për “Panorama Sport”. Marku vjen pas një eksperience në futbollin rumun, ku në sezonin e fundit ishte pjesë e UTA Arad. Me afrimin e Markut shkon në 11-të numri i afrimeve te Flamurtari gjatë kësaj merkatoje vere. Marku në Shqipëri ka luajtur edhe për Vllazninë, Partizanin, Kastriotin dhe Tërbunin. Gjithashtu ka luajtur edhe në Gjermani. Administratori Sinan Idrizi nuk është kursyer gjatë kësaj periudhe me shpresën për të krijuar një ekip konkurrues dhe për t’i dhënë fund distancës me Superioren. Me shumë gjasa merkatoja e vlonjatëve po shkon drejt mbylljes, ndonëse nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë përforcim surprizë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"