Atdhe Nuhiu, nisin procedurat për pasaportë
Federata Shqiptare e Futbollit po nis procedurat për të pajisur me pasaportë shqiptare sulmuesin kosovar Atdhe Nuhiu. Pas bisedimeve intensive mes menaxherit të Kombëtares, Alban Bushi dhe lojtarit, FSHF ka kërkuar dokumentacionin për të nisur nga puna. Vetë sulmuesi pat deklaruar pak kohë më parë se ishte kontaktuar nga Federata shqiptare dhe se është i gatshëm që të luajë për Shqipërinë në të ardhmen, ndonëse është aktivizuar rregullisht me Shpresat e Austrisë. Aktualisht, sulmuesi 197 cm i gjatë luan me Shefild Uednsdei dhe ka një eksperiencë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare, pasi më parë 25-vjeçari ka luajtur me Riedin, Rapidin, Eskisehirsporin dhe së fundmi me Shefild Uendsei. Sa i përket mundësisë që ai të marrë lejen për të luajtur me Shqipërinë, për lojtarin do të ndiqet e njëjta procedurë si me Migjen Bashën.
Sadiku – Minimizohen shanset që Loret Sadiku të mund të luajë me Shqipërinë në të ardhmen. De Biazi është në dyshim nëse duhet t’i bëjë sërish ftesë për dy ndeshjet e radhës eliminatore, ato kundër Sllovenisë dhe Islandës në shtator. Qendërmbrojtësi i Helsingborgut ka shkaktuar zemërim në radhët e zyrtarëve të FSHF-së, pasi refuzoi të paraqitej në Tiranë për ndeshjen kundër Armenisë.