ATLETIKË/ Smajlaj shpallet sportisti më i mirë i Europianit për shtetet e vogla, shkëlqen edhe Burraj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2024 | 11:20

ATLETIKË/ Smajlaj shpallet sportisti më i mirë i Europianit për shtetet e vogla, shkëlqen edhe Burraj

Kombëtarja Shqiptare e Atletikës e ka mbyllur me dy medalje ari dhe një argjendi pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, eveniment i mbajtur të shtunën në Gjibraltar, në të cilin Izmir Smajlaj u shpall edhe sportisti më i mirë i aktivitetit.MixCollage-24-Jun-2024-11-19-AM-9406

Atleti shkodran spikati me paraqitjen e tij, duke shënuar rezultatin më të mirë sezonal në garën e kërcimit për së gjati. Smajlaj regjistroi kërcimin 7.83 metra, duke merituar medaljen e artë si dhe vlerësimin e sportistit më të mirë të kompeticionit. Një shpërblim dhe një çlirim për ish-kampionin e Europës, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë, me një dëmtim të rëndë në mes që e ka mbajtur larg pistës për shumë kohë. Por 31-vjeçari tashmë duket se po rigjen formën e tij më të mirë, duke iu kthyer niveleve të dikurshme.

Smajlaj u shfaq shumë i kënaqur me rikonfirmimin kampion në këtë kompeticion, teksa e komentoi kështu triumfin në Gjibraltar: “Në vetëm 4 muaj stërvitje intensive me profesor Albert Marashin, pjesëmarrja në mitingje e kampionate brenda dhe jashtë vendit, si dhe rritja e rezultatit në mënyrë graduale, arrita të vlerësohem sportisti me i mirë i eventit me 1101 pikë olimpike dhe të rikonfirmohem kampion i shteteve të vogla europiane me rezultatin 7.83 metra. Një kampionat i rëndësishëm i cili vjen menjëherë pas Romës, ku sërish arrita të rris rezultatin më të mirë të sezonit deri me tani. Këto kupa më japin forcë e besim që rezultate edhe më të mira do të vijnë sërish. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur që në ditën e parë, Federatën Shqiptare të Atletikës, Komitetin Olimpik, Bashkinë Tiranë, Klubin Tirana dhe Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët janë gjithmonë krah meje”, është shprehur Smajlaj.

FRANKO BURRAJ – Performancë fantastike në Europianin e Shteteve të Vogla realizoi edhe Franko Burraj, i cili fitoi një medalje ar dhe një argjendi. Shkodrani konkurroi fillimisht në disiplinën e 400 metrave, duke u shpallur kampion me kohën 46.73. Kjo ishte medalja e tretë radhazi e artë nga Burraj në një event të tillë, me 25-vjeçarin që mban edhe rekordin e kompeticionit në 400 metra (46.45). Burraj u rikthye në pistë pas 60 minutash për të marrë pjesë në garën e 200 metrave, duke u shpallur nënkampion me kohën 21.52, për ta ngjitur për herë të dytë flamurin e Shqipërisë në podium.

REZULTATET E TJERA – Shqipëria u përfaqësua me 11 sportistë në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla. Erisa Rrasha shënoi rezultatin 5.82 metra në kërcim së gjati duke u klasifikuar në vendin e katërt. Në të njëjtin pozicion u rendit edhe Muhamet Çengeli në radhët e djemve, i cili fiksoi rezultatin 7.32 metra. Iljana Beqiri u klasifikua gjithashtu në vendin e katërt në disiplinën e 400 metrave me rezultatin 57.67. Vendi i pestë për Livja Topin në 400 metra me pengesa, me kohën 1:03.31. Relaksa Dauti e mbylli garën e 800 metrave në vendin e gjashtë me kohën 2:11.41. Elisa Myrtollari u klasifikua në vend të nëntë garën e 100 metrave me kohën 12.71. Alisa Ciko konkurroi në disiplinën e 200 metrave për tu renditur e nënta me kohën 26.34. Vetëm vendi i 13- të për Endri Rakajn në garën e 100 metrave me rezultatin 11.27. Vajzat e stafetës “Swedish”, Elisa Myrtollari, Livja Topi, Iljana Beqiri dhe Relaksa Dauti, garë që zhvillohej poër herë të parë nga Kombëtarja shqiptare, e përfunduan në vend të pestë. Ndërsa David Nikolli ishte pa fat në këtë kompeticion, teksa për shkak të një dëmtimi nuk arriti që ta përfundonte garën e 1500 metrave.WhatsApp Image 2024-06-24 at 11.17.33

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"