ATLETIKË/ Tirana dhe Vllaznia dominojnë Kupën, Gega e Rakaj më të mirët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2024 | 14:00

ATLETIKË/ Tirana dhe Vllaznia dominojnë Kupën, Gega e Rakaj më të mirët

Federata Shqiptare e Atletikës ka zhvilluar të shtunën në stadiumin “Elbasan Arena” aktivitetin e dytë më të rëndësishëm vjetor, Kupën e Shqipërisë, një kompeticion ku morën pjesë 12 skuadra.

WhatsApp Image 2024-05-20 at 13.54.03

Ashtu siç pritej, te femrat s’ka pasur surpriza, teksa sportistja më e mirë e aktivitetit është shpallur atletja e Tiranës, Luiza Gega me 1088 pikë. Ndërsa te meshkujt vlerësimin e atletit më të mirë të Kupës e meritoi atleti i Vllaznisë, Endri Rakaj me 986 pikë. Edhe sa i përket ekipeve, te vajzat u shpall kampione Tirana që grumbulloi 139 pikë, duke lënë pas Skënderbeun me 130 pikë dhe Partizanin me 72.5 pikë. Vllaznia u shpall kampione te meshkujt me 215 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Skënderbeu me 148 pikë dhe Teuta me 66 pikë. Në tërësi garat shkuan mirë, ndonëse në fund s’pati asnjë rekord të thyer. Në Kupë bëri debutimin e saj me skuadrën e Tiranës edhe Yipsi Moreno, kampione Olimpike dhe Botërore me Kubën në hedhjen e çekiçit. Një sportiste që shumë shpejt pritet që t’i bashkohet ekipit Kombëtar.

GARAT – Sa i përket garave individuale, edhe aty nuk munguan emocionet dhe rivaliteti, teksa Yipsi Moreno e Tiranës zuri vendin e parë në disiplinën e hedhjes së çekiçit dhe të diskut. Adisa Arifaj e MDS zuri vendin e parë ne hedhjen e shtizës dhe gjyles. Te djemtë spikatën atletët e Teutës, me Indri Nelaj që doli i pari në hedhjen e shtizës, Adriatik Hoxha në të diskut dhe Azgan Zeka në hedhjen e shtizës. Dy sportistët e Vllaznisë, Erisa Rrasa dhe Endri Rakaj morën vendin e parë në kërcimin së gjati, ndërsa në atë së larti dolën të parët Kelda Spahiu e Partizanit dhe Gledis Haxhiaj i Vllaznisë. Joana Goli e Tiranës dhe Kolindo Kiri i Vllaznisë zunë vendet e para në kërcimin 3 hapësh.

Sa i përket garës së 100 metrave, të parët dolën Elisa Myrtollari e Skënderbeut dhe Endri Rakaj i Vllaznisë, ndërsa disiplinën me pengesa e përshkuan më shpejt Rexhina Berami e Partizanit dhe Durjon Idrizaj i Vllaznisë. Në garën e 200 dhe 400 metrave u treguan më të shpejtë sportistët e Skënderbeut Alisa Ciko dhe Stivi Kereku. Në 1500 dhe 3000 metra dolën të parët atletët e Tiranës, Luiza Gega, Redia Dauti dhe Bledar Mesi. Livia Topi e Skënderbeut dhe Sidrit Kopliku i Vllaznisë zunë vendin e parë në garën e 400 metrave me pengesa, ndërsa në 5 mijë metra ecje sportive vendin e parë e zuri sportisti i Elbasanit, Daniel Gjoni. Relaksa Dauti e Tiranës dhe Daniel Ndoj i Partizanit dolën të parët në garën e 800 metrave. Luiza Gega garoi e vetme në garën e 5 mijë metrave. Sa i përket stafetave për meshkuj ato i takuan ekipit të Skënderbeut.

WhatsApp Image 2024-05-20 at 13.54.04 WhatsApp Image 2024-05-20 at 13.54.03 (2) WhatsApp Image 2024-05-20 at 13.54.03 (1) WhatsApp Image 2024-05-20 at 13.54.03

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"