Babasi: Halili të shlyejë detyrimet, më pas do të njoftohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2013 | 12:00

Babasi: Halili të shlyejë detyrimet, më pas do të njoftohet

Tirana kryesore copyAlpin Gallo jep dorëheqjen nga Tirana. Një ditë më parë, trajneri kërkoi largimin nga skuadra bardheblu. Pas dy javësh orvatjeje, ai mori vendimin që të ikte nga drejtimi i kryeqytetasve. Duket se ardhja e italianit Luixhi Gargano e ka bindur Gallon se kjo ishte zgjedhja e duhur. Në dy ditët e fundit, që pas afrimit të këshilltarit, ka qenë edhe ky i fundit që e ka stërvitur ekipin, duke krijuar pakënaqësi te vetë trajneri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gallo tregon arsyet e dorëheqjes, teksa nuk nguron që t’i urojë suksese ekipit në vazhdim.
Gallo është e vërtetë që keni kërkuar dorëheqjen nga Tirana?
Po, e vërtetë. Sot (dje) kërkova largimin nga drejtimi i skuadrës. Në fakt, që pas ndeshjes me Laçin, pasi fola edhe me administratorin kërkova të njëjtën gjë, por atëherë e refuzuan.
Po tani e kanë pranuar dorëheqjen?
Në fakt jo, por u thashë se është vendim i parevokueshëm. Nuk ka kthim mbrapa, e kam menduar mjaft mirë.
Po pse erdhi ky vendim?
Rezultatet flasin vetë, ishte koha që të tërhiqesha. Me shumë keqardhje, pasi kisha të tjera ide kur erdha. Por dikush duhet ta marrë fajin përsipër dhe shpresoj të jem unë fajtori. Janari ishte shumë vonë, nuk mund të prisnim aq.
Fakti që së fundi janë lakuar mjaft emra për stolin ju ka shqetësuar?
Nuk është se ndihesh mirë, por nuk është ky motivi. Trajneri gjithnjë me “valixhe” në dorë është, këtë pjesë e di kushdo. Ndoshta isha unë pengesa e kësaj Tirane, ndaj shpresoj që ai që do vijë, të bëjë diçka më mirë.
Në ditët e fundit u afrua edhe italiani Gargano si këshilltar, por ndërkohë ka bërë edhe trajnerin. Si e pritët një gjë të tillë?
Ishte ai, isha edhe unë. Mirëpo, italiani po vinte në zbatim idetë e veta.
Kujt ia komunikuat vendimin tuaj?
Donatorit Babasi. Nuk e pranoi, por s’mund të vazhdoja më. Nuk kishte kuptim.
Po me ekipin u përshëndetët?
Jo, por do e bëj. Ndoshta do të shkoj në Lushnjë që t’i shoh, si tifoz. Shpresoj që të fitojnë, çka do ishte si një dhuratë për mua. Do i përshëndes patjetër, pasi janë djem shumë të mirë. Kam kaluar mirë gjatë kësaj periudhe dhe, përpos gjithçkaje, ai grup mund ta nxjerrë Tiranën nga kriza, pasi kanë kualitet.
Si ishte ky muaj në drejtim të Tiranës, ndiheni i zhgënjyer?
E kam vuajtur shumë, sepse doja që të bëja diçka të mirë, ndryshe nga kjo që u pasqyrua. Ndoshta kam gabuar, por sedra nuk më lejoi që të vazhdoja më në krye të skuadrës kryeqytetase.
Më parë keni qenë pjesë e akademisë, mund të riktheni sërish në atë post?
Nuk e di, s’kam folur me njeri. Thjesht sa komunikova dorëheqjen dhe ende s’e kam dorëzuar zyrtarisht me letra.

Babasi NdricimBabasi: Halili të shlyejë detyrimet, më pas do njoftohet
Ndriçim Babasi, donatori i Ti ranës, është i befasuar nga largimi i papritur i trajnerit Alpin Gallo. Ai tregon se nuk mund të dorëhiqej para Lushnjës, të paktën të priste janarin. Për “Panorama Sport”, Babasi zbulon bisedën e fundit me teknikun, por komenton edhe marrëdhëniet me dy donatorët e tjerë. Ai i kundërpërgjigjet homologut të tij, Refik Halili, duke i thënë se do të njoftohet për lëvizjet që do kryhen te bardheblutë vetëm pasi të shlyejë detyrimet financiare si dy sponsorët e tjerë.
Reagimi Babasi tregon se aktualisht të vetmit që po përmbushin detyrimet financiare ndaj Tiranës janë ai edhe Morina, duke përjashtuar këtu donatorin tjetër. “Halili nuk mund të njoftohet për vendimet që merren në ekip. Një gjë e tillë do të ndodhë vetëm në momentin kur ai të përmbushë detyrimet e veta financiare që ka karshi skuadrës. Gjë që nuk ka ndodhur. Aktualisht të vetmit që po japin kuotën, sikundër ishte përcaktuar, jam unë edhe homologu tjetër Lul Morina. Edhe Halili ka dhënë, por vetëm në fillim një shumë të caktuar. Por, vetëm kaq”, – tha sponsori i skuadrës kryeqytetase, duke shfaqur hapur divergjencat që ekzistojnë mes tyre.
Dorëheqja Babasi shpjegon komunikimin me Gallon për këtë rast dhe se si do veprohet në vazhdim pas largimit të tij. “Fola sot me Gallon dhe më komunikoi se do të largohej, pasi nuk mundej më. Nuk e pranova dorëheqjen dhe po mundohesha të kuptoja se përse vendosi kështu. Më deklaroi se nuk mbante dot më, ndaj e kishte vendosur. Ndoshta ka menduar se italiani ka ndërhyrë në punën e tij, por nuk është kështu. Ai është vetëm këshilltar dhe po jep idetë e tij. Ndaj, dua të saktësoj se trajneri i përkohshëm aktualisht do të jetë Bulku, pra numri dy i stolit. Ai do e drejtojë ekipin ndaj Lushnjës, ndoshta edhe deri në mbyllje të këtij viti kalendarik. Gjithçka varet nga ecuria dhe se si do të shkojnë bisedimet me trajnerët e tjerë. Por, besoj se kjo lëvizje, pikërisht në këtë moment, pra para ndeshjes me Lushnjën, do të ketë para ndonjë dorë të zezë dashakeqe, që nuk e do të mirën e Tiranës. Ky largim i beftë më shqetësoi, e vlerësoja shumë Alpinin si individ, ndaj jam i mërzitur. Nuk jemi në situatën më të mirë dhe kjo lëvizje kaq e papritur nuk është në të mirë të grupit. Shpresoj që të mos ndikojë te lojtarët, pasi pak të ngarkuar janë psikologjikisht”, – përfundoi Babasi.

HaliliHalili: S’jam në dijeni për ikjen e Gallos
Refik Halili tregon se nuk është njoftuar për ardhjen e italianit Gargano si këshilltar te Tirana, e aq më pak për largimin e Alpin Gallos. Për “Panorama Sport”, tekniku thotë se nuk ka qenë në dijeni dhe se këto zhvillime të reja i ka mësuar vetëm me anë të medias. Njëri prej tre donatorëve të kryeqytetasve, për lëvizjet e ditëve të fundit, fillimisht shprehet se: “Nuk jam në dijeni, as për afrimin e italianit, e aq më pak për largimin e Gallos. Jam informuar vetëm dy ditë më parë nga mediat, konkretisht shtypi i shkuar, se është afruar një këshilltar italian në krye të ekipit. Por, vetëm kaq. Ndërsa sot (dje) dëgjova disa zëra, sipas të cilëve, paksa dhënë dorëheqjen edhe trajneri Gallo. S’e di se sa e vërtetë është, pasi nuk jam njoftuar për zhvillime konkrete dhe zyrtare”. Më tej ai shfaq skepticizmin e tij për Garganon, i cili më parë ka qenë këshilltar edhe te Tërbuni. “Jam skeptik, pasi italiani vjen nga ekipi i Pukës te Tirana. Jam shumë mosbesues. Në këtë gjendje që është skuadra jonë, në pikë të hallit, duhet të mendohemi mirë para se të marrim një vendim dhe jo nxitimthi. Këtu flas jo vetëm për stolin, por për lojtarët. Tirana ka nevojë për emra të mëdhenj dhe me CV të pasur. Lëvizjet duhet të jenë të mirëmenduara, pra të ruhet grupi dhe të afrohen disa elementë që të bëjnë diferencën ndër të tjerët”, – përfundoi Refik Halili, ish-president i skuadrës bardheblu, aktualisht njëri prej tre sponsorëve.

Sokol Bulku, trajner provizor i kryeqytetasve
Sokol Bulku do të jetë trajneri i përkohshëm i Tiranës në vazhdim. Pra, me largimin e Alpin Gallos, zyrtarisht detyrën do e marrë numri dy i stolit. Ai do e drejtojë skuadrën nga pankina në ndeshjen e nesërme kundër Lushnjës, transfertë vendimtare për të ardhmen e kryeqytetasve, të cilët dergjen prej javësh në fundin e tabelës. Mësohet se Bulkut i është komunikuar se përkohësisht, deri në gjetjen e një tjetër emri për pankinën bardheblu, këtë detyrë do e mbajë zv.trajneri. “Sokol Bulku do e drejtojë Tiranën në vazhdim. Ai do jetë në krye të pankinës së bardhebluve duke filluar nga kjo ndeshje. Deri në gjetjen e një tjetër trajneri, do i besojmë Bulkut. Sakaq, Gargano do jetë vetëm në detyrën e këshilltarit, pra për detyrën për të cilën edhe erdhi. Asgjë më tepër”, – sqaroi Babasi për këtë çështje.

Luixhi Gargano, një italian që po stërvit bardheblutë
Luixhi Gargano, edhe pse erdhi në rolin e një këshilltari, po bën edhe trajnerin te Tirana. Edhe dje ai vazhdoi ta stërviste skuadrën bardheblu, ndonëse prezent ishte dhe Alpin Gallo (deri dje kishte detyrën e trajnerit). Ky i fundit rrinte në pankinë, si shikues, ndërkohë që italiani po drejtonte seancën e radhës duke aplikuar skemat e tij. Gjë që sigurisht i ka lënë shije të hidhur teknikut, i cili ka marrë vendimin për t’u larguar nga drejtimi i kryeqytetasve. Megjithatë, Gargano zyrtarisht do të jetë këshilltari i Tiranës në vazhdim, paçka se mund të ketë rol vendimmarrës edhe si trajner. Gjatë kësaj periudhe ai do jetë në provë, e cila nuk do të zgjasë më shumë se një muaj, ndaj ende nuk ka nënshkruar një kontratë. Fillimisht ai u projektua si trajner i parë, pra që do të zinte vendin e Alpin Gallos. Por, pasi u pa me vëmendje edhe CV-ja e tij, teksa (nga të dhënat që deklarohen në të shkuarën ka qenë trajner i tretë i Interit, por njëherësh edhe vëzhgues futbollistik i skuadrës së Empolit, por kjo nuk është e vërtetuar) u vendos që do të jetë në rolin e këshilltarit. Sakaq, para disa sezonesh ka qenë te Tërbuni, ku ka bërë rolin e këshilltarit dhe të menaxherit njëherësh, pra sillte edhe ndonjë futbollist në provë.

Rubio dëshira e madhe, Tot një alternativë
Hulian Rubio mbetet dëshira e madhe për pankinën e Tiranës. Ish-trajneri i bardhebluve shihet si kandidati i duhur për këtë detyrë. Duke ia njohur vlerat dhe punën, shto këtu edhe trofetë e fituar, drejtuesit janë të bindur se me të gjithçka do ndryshonte. Pritet që të nisin zyrtarisht bisedimet me të, me shpresën që spanjolli të pranojë ofertën dhe të kthehet sërish në krye të kryeqytetasve. Sakaq, një alternativë e mirë është edhe Marijo Tot. Ai ka një karrierë relativisht të mirë, ndonëse të shkurtër. Ka qenë trajner i Dinamos së Zagrebit dhe NK Lokomotivës, por jo vetëm, pasi ka pasur edhe një eksperiencë në Malajzi me Kedah FA. Ndërsa si lojtar ka shkëlqyer tek Inter Zapresiç. Ai është 41 vjeç dhe po merret në konsideratë nga ana e krerëve të skuadrës si një opsion i mundshëm për stolin. Gjasat janë që klubi ta llogarisë si një kandidat dhe të nisë bisedimet me të. Sakaq, në listë mbeten Starova, Cungu dhe Daja, por që të tre e kanë refuzuar Tiranën.

MemelliKlubi, gati të shpenzojë deri në 100 milionë për një sulmues
Tirana kërkon një sulmues cilësor në merkaton e janarit. Për të gjetur të duhurin është e gatshme të shpenzojë jo pak, madje ka vendosur edhe një kuotë. Deri në 100 milionë mund të ofrojnë drejtuesit bardheblu për atë lojtar të vijës së parë, i cili do të garantojë golat. Duke ditur krizën e këtij reparti, teksa në 12 javë janë shënuar vetëm 4 gola, ka bërë që drejtuesit të vihen në kërkim të një “makineri” goli. Duke qenë se vendi nuk ofron lojtarë të tillë, nisur edhe nga rezultatet e pasqyruara deri më tani në Superiore, sytë janë hedhur jashtë vendit. Kjo ka bërë që menaxherë të ndryshëm të vihen në lëvizje dhe të sponsorizojnë kandidatët e tyre, të njohur apo të panjohur qofshin.
Merkato – Tirana prej kohësh ka nisur bisedimet për merkaton, madje me disa lojtarë ka gjetur edhe akordin. Në listën e dëshirave aktualisht janë disa lojtarë që luajnë në Superiore. I pari është Ilion Lika, i cili ka gjetur gjuhën e përbashkët, por pritet vetëm firma. Sakaq, në planet e klubit janë edhe tre nga ekipi i Flamurtarit; Erjon Dushku, Hari Zeqiri dhe Nijas Lena. Por bardheblutë kanë në plan që të bëjnë pazar edhe në Korçë, ku besohet se mund të arrihet akordi me Mario Morinën, Ivan Gvozdenoviç dhe Zeljko Tomiç. Një mundësi është edhe Migen Memelli, i cili mësohet se ka shprehur dëshirën për t’u afruar te Tirana. Dy emra të tjerë që kanë dalë në skenë janë Dilaver Duka (Dilly) dhe Pierre Boja shihen si alternativa të mundshme për Tiranën. Të dy futbollistët, të cilët kanë nisur bisedimet me klubin e Tiranës, me shumë gjasa do t’i bashkohen grupit në janar.

Jepen rrogat, ka ankesa për përqindjet
Dje Tirana ka marrë një tjetër rrogë, atë të muajit tetor. Futbollistët ishin njoftuar se në llogaritë e tyre do të kalonin pagat, çka u konfirmua edhe nga mesazhi që u erdhi prej bankës. Sikundër është përmendur shpeshherë, ata likuidohen në bazë të përqindjeve, çka është shoqëruar me mërzitje. Por, ata e kanë të parashikuar në kontratë diçka të tillë, marrëveshje që e kanë firmosur vetë, ndaj kjo është e paevitueshme. Një futbollist që e nis si titullar paguhet 100 për qind, ndërsa një që e fillon nga stoli 70%. Më të “humburit” janë ata që mbeten jashtë 18-shes, pasi marrin vetëm 30%.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"