Elis Bakaj firmos për RNK Split, ja fjalët e para në Kroaci
Elis Bakaj i ka dhënë lamtumirën kampionatit shqiptar për të filluar një aventurë tjetër larg vendit tonë. Sulmuesi pritej të udhëtonte drejt Malajzisë, pas një oferte të mirë financiare që kishte marrë nga një skuadër e këtij kampionati, por ai ka zgjedhur një kampionat më të afërt e më prestigjioz si ai kroat.
Bakaj ka firmosur për dy vite me klubin e RNK Split, ku do të luajë përkrah një tjetër futbollisti shqiptar, mbrojtësit Amir Rrahmani. Në këtë klub më përpara ka luajtur edhe Sokol Çikalleshi.
“Jam i lumtur për firmën, e njoh mirë Splitin, falë Rrahmanit dhe shpresoj të shpërblej besimin. Nuk dua të zhgënjej drejtuesit e klubit dhe do të mundohem t’i shpërblej me golat e mi. Nëse do të shënoj më pak se 10 gola në sezonin e parë, do ta cilësoj një zhgënjim të madh.
E di që Çikalleshi dhe Rrahmani kanë bërë një karrierë të mirë këtu dhe dua të vazhdoj në gjurmët e tyre. Kam shumë eksperiencë dhe besoj se mund ta ndihmoj Splitin.
Këto ditë do të kthehem me Shqipëri, por të martën do të jem prapë këtu për t’u stërvitur me ekipin. E di që kemi shumë punë për të bërë, duhet të punojmë për tu bërë gati për sezonin e ardhshëm”, tha Bakaj pas firmës në kontratë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"