Bakaj: Nuk jam Nejmari, por e lashë Tiranën sepse doja të luaja!
Edvan Bakaj largohet nga Tirana. Portieri e ka mbyllur dje zyrtarisht me bardheblutë dhe ka marrë rrugën drejt Kosovës. Ai do të jetë zyrtarisht pjesë e Lirisë së Prizrenit, ekip që drejtohet prej Bledi Shkëmbit. Hapësira minimale që kishte te kryeqytetasit gjatë sezonit të fundit e ka detyruar 29-vjeçarin që të marrë këtë vendim.
Edhe pse në klub nuk u bënë pengesë për këtë “divorc”, paçka se futbollisti kishte kontratë deri në maj të 2018-ës, janë futur në dilemë. Me Ilion Likën, porta është “e blinduar”, por duke qenë se sezoni është i gjatë dhe dëmtimet e kartonët janë pjesë e futbollit, po mendojnë për një portier të dytë.
Sigurisht që Princ Çali dhe Ditmar Shehri janë elementë realisht cilësorë, por duke qenë se objektivi i Tiranës është madhor, në klub mund të shohin të udhës që të futen në merkato për këtë repart.
DEKLARATA
Për të nuk ka qenë kurrsesi e lehtë që të merrte vendimin, por dëshira për të luajtur, bëri që të pranonte ofertën e Lirisë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, pak minuta pasi zgjidhi me konsensus marrëveshjen me klubin, ai tregoi se ishte Bledi Shkëmbi që e bindi për të nisur një aventurë të re, në një tjetër kampionat.
“Nuk kam pak që e mbylla me Tiranën. E vështirë ishte, por gjithsesi nuk do ta quaj një lamtumirë. Vendimi nuk erdhi se skuadra ra në Kategorinë e Parë, përkundrazi. Për mua nuk përbën shqetësim ky fakt, pasi me këto ngjyra do të luaja në çdo kategori, por problemi qëndronte diku tjetër. Dua që të luaj futboll.
Jam në një moshë që kam nevojë për të pasur minuta dhe jo që të qëndroj në stol. Edhe pse presidenti dhe trajneri më donin në ekip, nuk u bënë pengesë për këtë ‘divorc’ të parakohshëm”, u shpreh fillimisht Bakaj.
Kur pyetet për detajet e marrëveshjes, portieri kthehet në “rol”. Sikundër dihet, batutat janë pjesë e pandarë e tij, ndaj përgjigjet në këtë formë: “Nuk jam Nejmar që të kem detaje (qesh). Arsyeja kryesore, sikundër e përmenda më lart, ishte aktivizimi. Këtu do të luaj rregullisht.
Pastaj u binda edhe prej besimit që Shkëmbi tregoi karshi meje. Projekti është realisht ambicioz, ndaj personalisht edhe për mua do të jetë një sfidë më vete, është një kampionat tjetër, ndaj dua ta provoj. Sakaq, paratë nuk kanë lidhje në këtë vendim”.
AMBIENTI
Edhe pse kampionati është i panjohur, ai do të gjejë një ambient bardheblu në Prizren. Pjesë e ekipit janë bërë edhe Sefa me Vrapin, ndaj përshtatja nuk do të jetë problem. “Do të jemi një miniTiranë. Është Vrapi dhe Sefa, por edhe djali i Maganit, ishtrajneri i Tiranës. Do të kem disa bardheblu në ekip”, përfundoi Edvan Bakaj.
ADELA MERKO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"