Barazim ndaj Laçit, Tirana s’bind në start. Dede ka rezerva: Prisja më shumë nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2013 | 14:20

Barazim ndaj Laçit, Tirana s’bind në start. Dede ka rezerva: Prisja më shumë nga ekipi

Tirana-Laci-0-0TIRANA-LAÇI 0-0
TIRANA: Çaka, Kalari (Jovanoviç 60′), Vrapi, Kaja, Peqini (Sina 46′), G. Muça, Karabeci, Taku, Kerçiku (Çaushaj 72′), Peposhi, Çota; Trajner: N. Dede
LAÇI: Bakaj, Ndreka, Buljan, Sefgjini, Kastrati (Nino 88′), Zefi, Vucaj (Shazivari 72′), Veliaj, Teqja, Tanushi (Çarls 54′), Nimani; Trajner: S.Nica
KARTONË TË VERDHË: Kaja 23′, Kalari 53′, Karabeci 92’/ Teqja 48′
DELEGAT: Denis Bastari (Tiranë)
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë), G.Koka (Lezhë)

MINUTAT
3′ Taku tenton të godasë, por Bakaj ndal rrezikun.
16′ Veliaj rrezikon nga brenda zonës, por nuk gjen portën.
17′ Muça pason për Çotën, i cili futet në zonë, por s’e fiton duelin me Bakajn.
20′ Top i kthyer keq nga Zefi, përfiton Çota, por jashtë kuadratit.
43′ Peposhi merr një top perfekt, gjuan, por Bakaj grushton duke evituar një gol të sigurt.
46′ Veliaj kombinohet me Tanushin, i cili gjuan, por topi përfundon jashtë.
49′ Vrapi tenton nga distanca, pret Bakaj.
51′ Muça rrezikon nga larg, por jashtë portës.
61′ Nimani i merr një top Karabecit, godet, por topi përfundon jashtë.
64′ Vucaj rrezikon, gjuan bukur, por Çaka largon rrezikun.
76′ Goditje dënimi, gjuan Veliaj, topi merr trajektore, por vetëm jashtë.
78′ Shazivari gjuan, grushton Çaka, topi kthehet, tenton dhe Nimani, por jashtë.
89′ Goditje këndi për Tiranën, Taku gjuan, por pret Bakaj.
93′ Zefi befason nga 25 metra distancë, gjuan, por Çaka pret.

Tirana barazon me Laçin në start. Bardheblutë nuk e kanë nisur siç duhet sezonin e ri, teksa kanë marrë vetëm një pikë. Ndeshja e javës së parë, e zhvilluar dje pasdite në “Qemal Stafa”, duket se ka lënë të kënaqur vetëm kurbinasit. Ndërsa për kryeqytetasit, të cilët në fakt u formuan në harkun e tri ditëve, rezultati nuk ishte ai i pritshmi. Në praninë e rreth 1 mijë tifozëve, vendësit e nisën mirë lojën, duke menaxhuar pjesën e parë, por 45 minutëshi i dytë foli vetëm për miqtë, që u shfaqën të frikshëm. Tirana ka shfaqur dëshirë të madhe për fitore, por në anën tjetër është evidentuar moskoordinimi mes reparteve të saj. Ardhja e disa lojtarëve në momentet e fundit dhe aktivizimi i tyre si titullarë, ka bërë që të mos përshtaten si duhet me njëritjetrin.
Pjesa e parë Ndeshja nisi mirë për Tiranën, e cila dukej më e qartë në fushë dhe kontrolloi për minuta me radhë topin. Rasti i parë vjen që në të 3-tën minutë, kur Taku tenton të godasë, por Bakaj ndal rrezikun. Loja vazhdon vrullshëm për bardheblutë, por mungon pasimi i fundit dhe rrjedhimisht kjo bën që goli të mos vijë. Në të 16-tën reagon Laçi. Është Veliaj që gjuan nga brenda zonës, por nuk gjen portën. Kundërsulm i vendësve vetëm pak sekonda më vonë, Muça pason për Çotën, i cili futet në zonë, por nuk fiton duelin me Bakajn. Ndeshja u zhvillua me shumë duele në mesfushë, ku lojtarët më tepër mendojnë të shkatërrojnë sesa të ndërtojnë, ndërkohë që dy ekstremitetet e skuadrave, sulmet, vuajnë në finalizim. Çota në 20′ pati një rast ideal. Top i kthyer keq nga Zefi, përfiton Çota, gjuan, por jashtë kuadratit. Pak para mbylljes së fraksionit të parë, Peposhi merr një top perfekt, gjuan, por Bakaj grushton duke evituar një gol të sigurt. Në tërësi, në këto 45 minuta, në fushën e lojës u pa një Tiranë kreative, por tepër e çalë në vijën e parë.
Pjesa e dytë Në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka, pasi Laçi u shfaq më superior. Ndërrimet e bëra prej Nicës ishin efikase. Ai largon Tanushin dhe fut një mbrojtës, Çarlsin, duke ndryshuar kësisoj edhe taktikën. Vucaj shfaqet më pranë portës kryeqytetase, në ndihmë të sulmuesit Nimani, duke tentuar edhe goditjet nga distanca. Tenton Vrapi në të 49-tën nga distanca, pret Bakaj. Provon edhe Muça 2 minuta më vonë, por nga larg, sërish jashtë. Në të 61-tën është Nimani që i merr një top Karabecit, godet, por topi përfundon jashtë. Sulmet e kurbinasve shtohen, teksa Vucaj godet bukur, por Çaka largon rrezikun. Dede reagon me një zëvendësim në sulm, duke e përforcuar këtë repart me Jovanoviç. Ai i bashkohet në repartin e përparmë Çotës, në përpjekje për ta zhbllokuar rezultatin, mirëpo qendra e mbrojtjes mike është e pathyeshme. Në të 76-tën Veliaj tenton me një goditje dënimi, por topi i tij pasi përplaset në tokë, shkon vetëm jashtë. Tenton edhe Shazivari në të 78′, mirëpo grushton Çaka. Topi kthehet në fakt dhe këtë herë gjuan Nimani, veçse jashtë kuadratit. Presioni në portën bardheblu shtohet në fund, gjithsesi rezultati mbetet i pandryshuar.

MË I MIRI
Qendërmbrojtja e Laçit ka qenë në një ditë të mirë dje. Dyshja Buljan-Ndreka ishte e pakalueshme prej sulmit të Tiranës, ndërsa në çdolloj dyluftimi që kishte, doli e fituar. Sakaq, nivel të mirë loje shfaqi blerja e re e bardhebluve, Endri Vrapi, por edhe G.Muça, i cili dje mbajti shiritin e kapitenit. Megjithatë, kryeqytetasit ishin më të vendosur, vetëm në 45 minutat e para.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Tiranës ishte në një ditë të dobët. Mirel Çota, edhe pse ka shkëlqyer gjatë ndeshjeve miqësore të zhvilluara gjatë periudhës përgatitore, në javën e parë të kampionatit kundër Laçit nuk u shfaq i rrezikshëm para portës së Bakajt. Sakaq, edhe sulmuesi tjetër Milan Jovanoviç, i ardhur pak ditë më parë te kryeqytetasit, nuk bëri asgjë në ato minuta që u aktivizua.

DedeDede ka rezerva: Prisja më shumë
Nevil Dede nuk është i kënaqur me barazimin. Trajneri priste më shumë, e megjithatë mendon se me kalimin e javëve ekipi i tij do të marrë formë dhe do të jetë aty ku të gjithë pretendojmë. Gjatë intervistës së dhënë për mediat, në fund të takimit ai komentoi ekipin në total, prurjet e reja dhe afrimin e mundshëm të Ilion Likës te kryeqytetasit.
I kënaqur me këtë rezultat, apo prisnit më tepër?
Besoja se do të fitonim. Jam i mërzitur që nuk ia dolëm, por është vetëm fillimi. Jemi përforcuar me disa lojtarë në ditët e fundit të merkatos dhe skuadra do kohë sa të kolaudohet, sa të gjejë ritmin e duhur.
Si e gjykoni punën e bërë nga drejtuesit në merkato?
Pas katër ose pesë javësh mund të shohim forcën reale të këtij ekipi, që ka elementë mjaft të mirë në përbërje.
Më konkretisht, çfarë nuk shkoi si duhet sot (dje)?
Kërkova tri gjëra nga ekipi: grintë, besim e karakter. Sot (dje) luajtëm me grintë, shfaqëm karakter, por na mungoi besimi.
Mendoni se e keni kaluar krizën dhe a e pretendon Tirana titullin?
Na duhet të shohim përpara. Ka ende vend për afrime? Drejtuesit e klubit po punojnë për ta përforcuar skuadrën me ata lojtarë që janë të disponueshëm.
Përflitet ardhja e Likës, si e pret Dede këtë afrim, nisur edhe nga problemet e së shkuarës?
Mund të them se ai u largua pasi bëri disa ndeshje jo të mira sezonin e kaluar dhe iu nënshtrua një operacioni. Këtu fillon dhe mbaron historia.
Ju do e pranoni në ekip?
Nëse të gjithë së bashku, me drejtuesit dhe sponsorët, do të jemi në një mendje, te Tirana mund të afrohen të gjithë ata lojtarë që i shërbejnë skuadrës.
Kush është kapiteni i Tiranës, edhe pse në fushë u pa Muça me shirit?
Kapiten do të jetë Sina, nisur nga karriera dhe vitet që ka te Tirana. Por në momentin që ai nuk do të luajë, atëherë shiriti do i kalojë Muçës, siç ndodhi (sot).

Nica-300x199Nica: Mora atë që doja, e nisëm mbarë këtë sezon
Stavri Nica u shfaq më shumë se i kënaqur nga pika e parë në javën e parë të kampionatit. Gjatë deklaratës së dhënë në fund të këtij takimi për mediat, ai shprehet se ky barazim mund të konsiderohet si tepër pozitiv, nisur nga fakti që jemi vetëm në startin e këtij sezoni. “Bëmë një ndeshje të mirë dhe jam realisht shumë i kënaqur me këtë barazim. Faktikisht këtë prisja nga kjo përballje e parë, ndaj mendoj se e nisëm ashtu siç duhet këtë kampionat”, – tha fillimisht numri një i stolit kurbinas. Më tej, ai e cilësoi Laçin e tij me fat që gjeti përballë një Tiranë në këtë moment të papërshtatshëm dhe e ndërtuar vetëm në minutat e fundit. “Më vjen mirë që Tiranën e gjetëm në një moment jo të përshtatshëm. Në këtë takim arritëm të luftonim fort dhe morëm një pikë që na shërben shumë, pasi ishte një ndeshje në transfertë. Tirana nuk ishte organizuar ende si duhet, por të jeni të bindur se kjo skuadër do bëjë mirë gjatë kampionatit. Ishte fati ynë që erdhëm javën e parë këtu. Megjithatë, ata luajtën me grintë, gjë të cilën e kanë në gjen. Ne bëmë një ndeshje të kujdesshme dhe morëm atë që donim. Tani na duhet të shohim përpara. Kampionati është i gjatë dhe mendoj se skuadra me kalimin e javëve do të gjejë rimtin e golit. Edhe pse në këtë javë të parë bëmë më të mirën, Laçi di të bëjë shumë më shumë se kaq. Megjithatë, edhe objektivat tona do të konkretizohen me kalimin e ndeshjeve, ku gjithçka do të jetë më konkrete, jo vetëm për ne, por edhe në forcën reale të kundërshtarëve”, – përfundoi Nica, i cili mendon se pika është shumë herë më mirë se humbja.

Trajneri De Biazi dhe kapiteni Cana në stadium
Dje, në stadiumin “Qemal Stafa” janë parë edhe protagonistë të Kombëtares shqiptare. Xhani De Biazi dhe zëvendësi i tij Tramexani ishin të pranishëm në të gjithë 90 minutat për të ndjekur Tirana-Laçi. Në prag të ndeshjes së radhës për përfaqësuan tonë, trajneri ndoshta ka pasur si qëllim që të shikonte ndonjë element të ri. Sakaq, e befasishme ishte vizita e kapitenit të kuqezinjve, Lorik Cana. Mbrojtësi, i cili kishte sot (dje) kishte ardhur në Shqipëri, u pa në brendësi të stadiumit gjatë orëve të pasdites. Ai nuk nguroi që të bënte edhe vizitat e kortezisë me të pranishmit. Në një kohë që trajneri Nevil Dede po jepte deklaratën e tij, Canës iu kërkua që të prononcohej për mediat, por kapiteni tha se do të fliste në një tjetër moment.

Nuk federohet, Gerc s’luajti dot
Te Tirana fakti që merkatoja u bë vetëm në momentet e fundit po sjell problemet e veta. Vedran Gerc nuk arriti që të luante, duke qenë se nuk i ka ardhur akoma lejekalimi prej ish-ekipit të tij. Lojtari është regjistruar në FSHF, megjithatë për t’u mbyllur krejt federimi duhet edhe OK-i nga ana e klubit të tij të vjetër. Sakaq, nisur nga shtyrja që iu bë merkatos, e cila mbyllet vetëm sonte në mbrëmje, Tirana do përfitojë për të afruar ndonjë tjetër element. Deri më tani zyrtarisht kanë firmosur: Kastrati, Hoxha, Çaço, Kërçiku, Kaja, Çaushaj, Gerc, Peqini, Vrapi, Jovankoviç dhe Vashaku. Janë regjistruar në limit Adigun dhe Bola, por ata tashmë pritet që t’i bashkohen ekipit. Si edhe mendohet rikthimi i Ilion Likës në portë, por nga sa mësohet para se të vendoset diçka rreth tij duhet që drejtuesit dhe sponsorët të bien në një mendje. Nëse do konkretizohet apo jo, kjo mbetet për t’u parë. Vetë lojtari ka përgatitur terrenin në Krujë, ku i ka bërë me dije trajnerit Ramazan Ndreu se mund të largohet. Dhe ky i fundit në fakt duket se parimisht i ka dhënë OK-in që mund ta lërë të lirë.

Pakënaqësi te bardheblutë, ka ankesa në dhomat e zhveshjes
Edhe pse situata në dukje ka ndryshuar, në radhët e bardhebluve nuk mungojnë pakënaqësitë. Pas ndeshjes ka pasur “zhurmë” dhe ankesa, si pasojë e kërkesave të trajnerit kundrejt lojtarëve dhe lojës që ata shfaqën në fushë. Megjithatë, kjo është një gjendje e trashëguar nga e shkuara, nisur nga fakti që në ekip kanë muaj pa marrë rroga dhe kjo situatë reflektohet edhe me nerva. Futbollistët nuk kanë nguruar gjatë periudhës përgatitore se prej tyre mund të pritet shumë, por duhet kuptuar fakti se nuk mund të japin 100-përqindëshin e tyre, pasi kanë muaj pa parà. Nga ana tjetër, një krisje ka nisur edhe prej çështjes “Ilion Lika”. Sponsorët kanë filluar kontaktet me të dhe kërkojnë ta marrin me çdo kusht në ekip, ndonëse Dede ka pasur hapur mosmarrëveshje me të. Mjafton të kujtojmë deklaratat reciproke mes tyre edhe në media. Në fakt dje trajneri, kur u pyet për afrimin e tij të mundshëm, deklaroi se nëse drejtuesit dhe sponsorët do të binin dakord me tyre, Lika do e ketë derën hapur te kryeqytetasit. Por, ardhja e tij mund të pasohet edhe me ndonjë lloj tensioni. Madje nga ana e klubit, konkretisht vetë administratori Krenar Alimehmeti këmbëngul që ata nuk kanë kurrfarë tratative me portierin dhe se nuk e kanë në plan që ta afrojnë. Kjo gjë bie ndesh në fakt me atë çka ndodh në realitet. Prandaj është disi e paqartë se si do procedohet me këtë rast dhe gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim.

Muça mbajti shiritin, Sina gradohet kapiten
Dje, Gentjan Muça ka mbajtur shiritin e kapitenit te Tirana, por në fund të ndeshjes u mësua se ai do të ketë vetëm rolin e zëvendëskapitenit në vazhdim, ndërkohë që gradën e ka marrë Elvis Sina. Mbrojtësi veteran i bardhebluve, i cili prej 18 sezonesh mban veshur këtë fanellë dhe radhazi katër të tilla, është caktuar prej drejtuesve dhe donatorëve si kapiteni i skuadrës. Ai në fakt e ka pasur këtë status edhe para dy vitesh, por më vonë iu hoq, pasi shiriti i kaloi Ilion Likës. Kujtojmë që Sina është ndër të paktët lojtarë të sezonit të fundit që qëndroi në ekip dhe vetëm para pak ditësh ai rinovoi zyrtarisht me klubin kryeqytetas edhe për një sezon.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"