Bashkim Muhedini, dhëndri i Beqir Ballukut, që nga basketbollist u bë portier
Nga UVIL ZAJMI
Historia e ish-basketbollistit që u transformua në portierin e Partizanit dhe të Kombëtares. Origjina nga fshati i Odhise Paskalit, fati i penalltive që i ndryshoi karrierën, me Ballukun në një skuadër, jeta në Zall Bastar dhe largimi për në Amerikë.
Nga i njëjti fshat me Odhise Paskalin Një koincidencë e rrallë. Bashkim Muhedini e ka origjinën dhe është nga i njëjti fshat, Kozarë, prej të cilit është edhe skulptori i madh shqiptar, Odhise Paskali. Këtë fakt e ruan si një sekret me vlerë të madhe, por pa preferuar ta bëjë publike. Kozarë është një fshat i vogël, por prej tij kanë dalë një artist i madh dhe një futbollist i tillë. Të dy të njohur, shumë popullorë e të vlerësuar për kontributin që kanë dhënë në fushat përkatëse, art dhe sport.
Një basketbollist i talentuar As që e kishte menduar se do të bëhej një portier i madh, titullar i Partizanit dhe i Kombëtares. Karrierën sportive Bashkim Muhedini e filloi si basketbollist, një disiplinë që e pëlqente. Vangjel Koja i evidenton shtatlartësinë dhe në vitet 1960-’62, me shkollën “11 Janari”, bashkë me Gavrosh Lëvonjën shkëlqejnë në turneun e shkollave 7-vjeçare të kryeqytetit. Do të ishte pikërisht ky sport që do e ndihmonte në rolin e portierit vite më vonë. Daljet në harkime ishin tiparet kryesore të tij, çka vinte nga loja dhe lufta në tabelën e koshit.
Penalltitë që i ndryshuan karrierën Pasi mbaroi 7-vjeçaren, e dërguan të ndiqte shkollën e Bashkuar Ushtarake “Skënderbej”. Aty vazhdoi të luante basketboll me formacionin e shkollës, por edhe me të rinjtë e Partizanit. Ndërkohë ora e fizkulturës shpesh kthehej në një garë gjuajtjesh të penalltive. Pedagogu i fizkulturës, Bejkush Birçe, dhe Muhedini garonin midis tyre. Gara shtrihej në kohë, ndërsa Birçe në mendjen e tij kishte filluar t’i projektonte të ardhmen Bashkimit. Këtu ishte pikënisja: ndërsa Muhedini luante basketboll, Birçe e ftoi dhe e orientoi që të linte lojën e shportës dhe të angazhohej me futbollin, në rolin e portierit, pasi i kishte të gjitha elementët që duheshin për këtë pozicion.
Kur gjenerali e mori në futboll I gjatë 186 cm, në skuadrën e të rinjve të Partizanit, Bashkim Muhedini ishte lojtar titullar, së bashku me Agim Fagun. Trajnerët M.Përmeti dhe R.Radoja kishin projektuar ndërtimin e një skuadre me perspektivë dhe as që e mendonin se Muhedini shumë shpejt do të largohej. Gjatë një seance stërvitjeje, dy trajnerët, të cilët nuk ishin dakord për këtë lëvizje, iu drejtuan Petrit Dumes dhe në shenjë proteste i treguan problemin dhe pakënaqësinë e tyre për këtë veprim. “Ka nevojë futbolli”, – ishte përgjigja e gjeneralit, pas së cilës Muhedini do të kalonte me të rinjtë e Bejkush Birçes, duke mbyllur përfundimisht të ardhmen si basketbollist. Ishte periudha e viteve 1964-1965. Pastaj menjëherë kalimi me ekipin e parë, ku do të gjente Mikel Jankun, Tonin Jozen, por edhe Panajot Panon, Bert Jasharin e trajnerin Loro Boriçi.
Takimi me Panajot Panon Kontakti i parë me Partizanin do të ishte grumbullimi në malin e Dajtit, në prag të fillimsezonit. Aty filloi miqësia me Panon, ndërsa debutimi do të vinte pak më vonë: me rastin e festës së 11 janarit, 1967, FSHF organizoi një turne njëjavor (3- 11) në Tiranë, me pjesëmarrjen e disa skuadrave me sistem eliminimi. Partizani, pasi mundi Besën në takimin e parë, luajti me 17 Nëntorin. Në portë ishte Bashkim Muhedini. Partizani fitoi 1-0 dhe Muhedini shkëlqeu. Nga ky moment ai do të ishte protagonist në skuadër, në atë Olimpike, të Shpresave, madje me Partizanin u shpall edhe kampion i Ballkanit me Klube. Por dhe me ekipin kombëtar do të ishte për disa vite titullar. Rivaliteti me Jani Kaçin Karriera sportive e Muhedinit do të ishte e lidhur me Bejkush Birçen. Me të e filloi dhe me të e mbylli karrierën. Ndonëse ata që e morën në skuadrën kombëtare ishin Myslym Alla dhe Loro Boriçi. Megjithatë edhe trajnerë të tjerë janë të rëndësishëm në jetën e tij si: Miço Ndini, Kolec Kraja e Refik Resmja. Kujtojmë takimin e paharruar me Lev Jashinin në Bullgari, ndeshjen me Admira Vaker të Vjenës, tetë orë stërvitje në ditë, një karrierë dhjetëvjeçare me Partizanin. Zëvendësoi Mikel Jankun dhe ia la vendin Jani Kaçit. Me Kombëtaren takimin e parë e luajti në qershorin e vitit 1971 në Karlsruhe, ku Boriçi e aktivizoi në sfidën RFGJ-Shqipëri 2-0 dhe të fundit në Tiranë në qershorin e 1973, Shqipëri- RDGJ 1-4, me trajner Ilia Shuken. Më pas do të luante në një takim miqësor me Kinën 1-1, ku u mbyll dera e Kombëtares për Muhedinin, me të cilën luajti vetëm shtatë takime. Pastaj pauza trevjeçare dhe… ndëshkimi politik i tij. Në Kombëtare ai zëvendësoi Dinellën dhe u zëvendësua prej Jani Kaçit.
Triku i pritjes së 11-metërshave Ka qenë një ndër portierët që është shquar edhe për pritjet e 11-metërshave. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur topi është frenuar nga duart e tij. Frika e kundërshtarëve se Muhedini ta priste penalltinë ishte bërë si një makth për të gjithë. Dhe ka qenë e vërtetë. Por, cili ishte sekreti? Struktura fizike natyrisht, por kur grumbullohej ekipi kombëtar, ai Olimpik apo i Shpresave, Muhedini i ftonte të gjithë që të gjuanin penallti pas përfundimit të stërvitjes. Rivaliteti ishte i madh, gara ishte shumë e ndjekur, çka do i shërbente atij si një eksperiencë në aktivitetet kombëtare, sepse ishin po ata lojtarë që ekzekutonin penalltitë me klubet ku luanin. Pra, truku ishte i menduar mirë: Ndërsa gjuanin pa impenjim në stërvitje, në takimet zyrtare Muhedini thuajse ua dinte mënyrën e ekzekutimit, krahun, pra ai ishte i mësuar me ta.
Ndëshkimi si dhëndër, bashkë me “Ballukët” Kjo është një tjetër histori. Vladimir dhe Agron Balluku kanë qenë dy futbollistë të Partizanit, madje Ladi titullar për shumë kohë. Të dy fëmijët e gjeneralit Beqir Balluku. Bashkim Muhedini ishte dhëndër i familjes dhe në Partizanin e viteve ’70-’75 kanë luajtur të dy në formacion. Pastaj do të vinte drama: ndëshkimi i gjeneralëve pasoi edhe me familjet e tyre. Fëmijët e Ballukut u persekutuan, u internuan dhe bashkë me ta edhe të afërm. Fati e goditi edhe Bashkim Muhedinin si dhëndër. Ai u largua nga futbolli dhe u transferua në Zall Bastar, në periferi të Tiranës, ku punoi si mësues fizkulture dhe qëndroi nga viti 1976-1980. Por, kjo histori do e ndiqte edhe vite më vonë. Në vitin 1985 i propozuan dhe e emëruan si mësues në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” të Tiranës, ku punoi vetëm një muaj, pasi e hoqën si ish-dhëndër…
Parandjenja e furtunës politike Kishte kohë që Muhedini e parandiente se një furtunë politike e radhës po afrohej. Viti 1976. Asokohe Partizani drejtohej nga trajneri Ilia Shuke. Luhej faza e dytë dhe shpesh Muhedini i kërkonte që të aktivizonte Jani Kaçin e ardhur ushtar, kur Partizani ishte në avantazh, apo edhe në fillim të lojës. Nga skuadra në atë periudhë ishin larguar i ndjeri, portieri Arjan Hoxha, i ardhur nga Shkëndija, por edhe Fatmir Ismaili nga Kuçova. Kaçi ishte i vetmi që kishte mbetur. Dhe erdh momenti: në stadiumin “Dinamo” luhej sfida Partizani-Flamurtari 1- 0. Të nesërmen e thirrën dhe i komunikuan pezullimin. I ka mbetur peng që fanellën nuk mundi t’ua dorëzonte tifozëve si kujtim, pasi largimi ishte i menjëhershëm. Pas tij edhe Jani Kaçi, sapo përfundoi shërbimin ushtarak, u largua për në Korçë. Më pas porta e Partizanit iu besua të rinjve Lekbello e Musta. Madje, ishte një 11- metërsh i pritur nga Musta, në një miqësore me kinezët në pjesën e dytë, që i siguroi formacionin shumëvjeçar.
Në Zall Bastar, jeta e dytë e tij E la futbollin për të mos e kthyer më kokën pas. E transferuan në Zall Bastar, ku do të riniste një jetë krejt ndryshe e të shkëputur nga ajo me të cilën ishte mësuar: Lidhja me tifozët, sportistë e miq. E nisi si mësues i thjeshtë fizkulture në fshatin periferik të Tiranës. Vetëm një herë zbriste në qytet në fundjavë. Një lëvizje e mërzitshme, por e kushtëzuar për të. Edhe marrëdhëniet me banorët e fshatit në atë fillim ishin të vështira, për shkak të mentalitetit dhe ndarjes që ekzistonte, në kulakë e të partisë. Një ditë e urdhëruan të bënte kujdes dhe të mos u jepte asnjë ndihmë a favor ish-kulakëve, duke e orientuar të frekuentonte ato shtëpi, ato familje ku ishin strehuar e mjekuar udhëheqës të partisë gjatë luftës. Por, shumë shpejt, Muhedini do të bëhej mik i të gjithëve.
Për herë të parë një skuadër vajzash me kilota Në Zall Bastar e respektonin të gjithë. Ideja për t’i dhënë jetë fshatit që ishte afër Tiranës, por i shkëputur prej kryeqytetit në shumë drejtime, sidomos në aktivitete sportive, e shtynte të ishte aktiv për t’i dhënë gjallëri jetës aty, në veçanti fëmijëve dhe nxënësve të shkollës. Për vite punoi intensivisht për ngritjen e terreneve sportive në atë zonë. Madje, askush nuk e kishte menduar se një ditë fshati do të kishte edhe skuadrën e volejbollit e të basketbollit të vajzave. Për herë të parë, në fshat u pa të luajë një skuadër vajzash, madje me kilota. Për të gjithë banorët ishte një eveniment i rrallë, një faqe e re për mentalitetin e tyre.
Largimi nga fshati dhe “rifitimi” i lirisë Viti 1979. Edhe ky një moment mjaft i veçantë dhe që nuk ka lidhje me futbollin, por ia ndryshoi sërish drejtimin jetës së Muhedinit. Drejtuesit lokalë vendosën të ndërtonin fshatin Bastar të Ri, duke qenë se vendndodhja e shtëpive në pllajën e vjetër rrezikonte shembjen e tyre. Por pleqtë e fshatit nuk pranonin, për shkak të mentalitetit dhe sigurisht nostalgjisë për të lënë shtëpitë. Atëherë me ta duhej biseduar. I vetmi, të cilit ia dëgjonin fjalën dhe që kishte mjaft popullaritet në atë zonë ishte mësuesi i fizkulturës, Muhedini. Në çdo shtëpi e familje arriti t’i bindte fshatarët të merrnin vendimin për t’i braktisur shtëpitë e vjetra dhe të transferoheshin te të rejat, vila dykatëshe të fshatit të ri. Për kontributin, ndihmën e dhënë në këtë proces, ai u transferua nga Zall Bastari, pra “rifitoi” lirinë dhe rikthimin në jetën normale. Nuk preferoi të qëndronte në Tiranë, pasi atmosfera politike ishte ende e rëndë dhe nuk dëshironte të ishte në vëmendjen e opinionit. Për këtë arsye zgjodhi Përmetin, vendlindjen, për të punuar si trajner. Një rrogë modeste, për të drejtuar skuadrën e futbollit që luante në të Dytën. Dhe përballja e parë ishte e dyfishtë, pikërisht me ish-klubin e tij: Partizanin. Ishin ndeshje për kupë dhe kampionat: në kupë triumfoi 2-1, ndërsa në kampionat humbi 0-2.
Nju Jorku, jeta e tretë e Muhedinit Çfarë bën sot Bashkim Muhedini, ku jeton, me se merret? Prej më shumë se një dekade është larguar nga Shqipëria për në Amerikë. Jeton në Nju Jork me gruan, pasi dy djemtë i ka në Milano. Një kafe paradite me miqtë, me të cilët takohet shpesh, ish-sportistë. Dembo, futbollisti i Skënderbeut, Robert Prifti i Këlcyrës, por edhe arbitri shkodran Tef Prela. Vazhdon të pijë duhan dhe e ka të vështirë të shkëputet prej tij. Ka devijuar nga ai fizik elegant, sepse është shëndoshur. Moslëvizja, qëndrimi pa aktivitet fizik, janë disa nga arsyet, se nga mosha nuk ankohet. Vjen rrallë në Tiranë, pasi largësia është pengesa e parë dhe më kryesorja. Ka dalë në pension me ligjin shqiptar meqenëse i ka kaluar të 65-tat. Ndjek pak futboll, Partizanin sigurisht, por jeta në atë qytet gjigant të bën të jetosh me të tjera ritme, të humbasësh kontaktet me miq e shokë, aq të dashur, por të munguar për Bashkim Muhedinin.