BASKET/ E pakonkurrueshme, Besëlidhja fiton edhe Finalen 2 kundër Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2024 | 12:05

BASKET/ E pakonkurrueshme, Besëlidhja fiton edhe Finalen 2 kundër Teutës

Besëlidhja ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit të parë kampion në historinë e klubit, teksa ka kaluar me sukses edhe finalen e dytë të “play off”-it në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj.

Moment nga ndeshja Teuta-Besëlidhja FOTO: F.HAZISLLARI

Moment nga ndeshja Teuta-Besëlidhja FOTO: F.HAZISLLARI

Pasi kishin fituar finalen e parë në Tiranë, lezhjanët e kanë thelluar në 2-0 serinë kundër Teutës, teksa të shtunën kanë triumfuar edhe në Durrës me rezultatin 75-91. Me Julian Hamatin që bën diferencën mes lojtarëve vendorë dhe me amerikanë me kualitet, Afrim Bilali ka ndërtuar një skuadër të pathyeshme, duke e dërguar në 25 numrin e fitoreve mes sezonit të rregullt dhe “play off”-it në po kaq takime të zhvilluara. Ashtu sikurse pritej Besëlidhja komandoi në të katërta periodat edhe në “Ramazan Njala”, ndërsa tashmë e ndajnë vetëm 2 triumfe nga titulli. Nga tjetër, për Teutën, mbërritja deri në finale mund të konsiderohet sukses më vete, duke parë organikën jo të plotë, ndërsa përballimi i një rivali si Besëlidhja duket i pamundur.

NDESHJA – “Play off”-i po nxjerr në pah edhe një herë problematikat në organizimin e ndeshjeve në Shqipëri, mes problemeve teknike dhe jo vetëm. Edhe në finalen e dytë në Durrës takimi nisi me ngërç, pasi për shkak të mungesave të forcave të rendit, starti finales u shty me 10 minuta. Duke kaluar të ndeshja, Teuta e filloi më mirë, teksa me entuziazmin e minutave të para shkoi në kryesim 8-0. Por më pas Besëlidhja e mori lojën në kontroll, për ta fituar periodën e parë 18-21. Lezhjanët bënë më mirë edhe në çerekun e dytë, duke e marrë atë 17-21, për të shkuar në pushimin e madh me avantazhin 35-42.

Pjesa e dytë nuk ndryshon asgjë, teksa miqtë i fituan edhe dy periodat e mbetura, përkatësisht 18-24 dhe 22-25, duke dalë me triumfin final me 16 pikë diferencë. MVP i finales së dytë u shpall Philbert Weekes, autor i 14 pikëve dhe 13 kërcimeve, ndërsa në suksesin e Besëlidhjes spikati edhe i zakonshmi Julian Hamati, autor i 19 pikëve dhe 8 kërcimeve. Për Teutën nuk mjaftuan 20 pikët nga Elian Memçaj (shënuesi më i mirë i takimit), 18 pikët e Jay Small dhe 17 nga kapiteni Kristi Gorea. Më 22 maj në orën 18:00 në sallën “Feti Borova” do të jetë radha e finales së tretë.62 71ROLAND GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"