BASKET/ Europianet e moshave, Shqipëria në gjysmëfinale me dy kombëtaret U-16
Shqipëria vijon përfaqësimet me kombëtaret e moshave në Kampionatet Europiane të basketbollit, evenimente të FIBA-s.Dje ekipet kuqezi shënuan dy fitore dhe një humbje, teksa djemtë dhe vajzat U-16 triumfuan në Divizionet C, ndërsa ekipi U-20 i vajzave pësoi humbjen e radhës në Divizionin B. DJEMTË – Shqipëria e nën 16-vjeçarëve për djem po bën paraqitje të shkëlqyera në Divizionin C, event që organizohet nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe që po mbahet në sallën “Feti Borova” në Tiranë. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Artur Kasaj regjistroi fitoren e tretë në Grupin A, duke e mbyllur në vend të parë me pikë të plota, për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale. Në ndeshjen e mbrëmshme, kuqezinjtë e vegjël mundën Moldavinë me rezultatin 85-68 (23-24, 21-10, 21-11, 20-23). Shqipëria e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, duke e hipotekuar aty suksesin, ndërsa lojtari i ndeshjes u shpall Alvi Leskoviku, autor i 20 pikëve dhe 5 kërcimeve.
U dalluan gjithashtu edhe Preston White me 24 pikë, Leonel Nasi me 10 pikë e 11 kërcime si dhe Genti Nilo me 15 pikë. Nesër në orën 19:30 Shqipëria do të luajë në gjysmëfinale ndaj Armenisë, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Kosova dhe Azerbajxhani, me dardanët që e mbyllën Grupin B në vend të parë me 3 fitore. VAJZAT – Fitore shënoi edhe Kombëtarja U-16 e vajzave, e cila mposhti Gjibraltarin me rezultatin e thellë 87-26 (22-2, 22-12, 31-6, 12-6), takim i vlefshëm për Grupin B të Divizionit C, që po mbahet pikërisht në Gjibraltar. MVP u shpall Melisa Nikaj, protagoniste me 15 pikë, 3 kërcime dhe 2 asistime për kombëtaren kuqezi. Spikatën gjithashtu edhe Viola Gjyzeli me 16 pikë, Klarisa Zyla dhe Ema Çela me nga 12 pikë si dhe Anja Kasa me 10. Me këtë sukses vajzat e drejtuara nga trajneri Igli Zejni kualifikohen në gjysmëfinale si vend i dytë në Grupin B dhe nesër në orën 15:45 do të sfidojnë Azerbajxhanin.
Ndërkohë, Kombëtarja U-20 e vajzave vijon të regjistrojë vetëm humbje në ndeshjen e Divizionin B që po mbahen në Sofje, teksa duhet theksuar se bëhet fjalë për një kategori ku niveli është më i lartë. Këtë herë vajzat e trajnerit Klarent Dedaj u mposhtën nga Sllovakia me rezultatin e thellë 44-86 (9- 25, 9-29, 15-19, 11-13), takim i vlefshëm për klasifikimin final 9/15. Ndonëse rezultati ishte negativ, në parket u dallua sërish Brikena Muçenji, e cila meritoi vlerësimin MVP, duke regjistruar 19 pikë, 3 kërcime dhe 4 asistime.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"