BASKET/ Kaos në Durrës, Vllaznia braktis sfidën ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2024 | 10:11

BASKET/ Kaos në Durrës, Vllaznia braktis sfidën ndaj Teutës

Gjysmëfinalja e tretë e “play off”-it ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë, e vlefshme për kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj ka zgjatur vetëm një pjesë.

Ekipet duke iu drejtuar dhomave të zhveshjes

Ekipet duke iu drejtuar dhomave të zhveshjes

Pas 20 minutave të para të mbyllura 47-40 në favor të durrsakëve, takimi është ndërprerë për të mos rifilluar më. Shkak është bërë sirena e lojës, e cila në pallatin e sportit “Ramazan Njala” nuk është automatike, ndërsa Vllaznia ka kontestuar një kosh të Teutës në fundin e pjesës së parë.

ÇRARË NDODHI – Në fundin e periodës së dytë, kur takimi ishte në shifrat 44-40 për Teutën, Elian Memçaj ka realizuar për 3 pikë, duke i çuar shifrat në 47-40, teksa për arbitrat gjithçka ishte e rregullt. Por më vonë, Vllaznia e ka kontestuar këtë kosh, me pretendimin se është realizuar me kohë të përfunduar. Për shumë minuta në parket mbizotëroi një situatë kaotike. Për gjyqtarët ndeshja duhej të vazhdonte, ndërsa ata i dhanë 20 minuta kohë skuadrës shkodrane për të vendosur. Pavarësisht diskutimeve mes dy ekipeve, me vendësit që madje ishin të gatshëm edhe ta anulonin koshin e kontestuar, Vllaznia nuk pranoi ta vazhdojë më ndeshjen. Kështu gjysmëfinalja e tretë zgjati vetëm një pjesë, ndërsa tashmë topi kalon në Komisionin e Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Theksojmë që pallati i sportit “Ramazan Njala” është i certifikuar nga federata, ndonëse sirena nuk ka funksionuar automatikisht, problem ky që ndeshet në shumë salla të vendit, por që luhen rregullisht ndeshjet. Në të njëjtat kushte dhe në të njëjtën sallë në Durrës, Teuta dhe Vllaznia kanë luajtur dy herë gjatë këtij kampionati, fillimisht në sezonin e rregullt dhe më pas në “play off” në gjysmëfinalen e parë.

Madje sot në sallën “Feti Borova” në kryeqytet do të zhvillohet edhe finalja e katërt ndërmjet Tiranës dhe Flamurtarin, takim që mund të vendosë titullin kampion në radhët e femrave, ku as aty nuk ka sirenë automatike për kohën. Një situatë absurde që tregon gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës në Shqipëri. Sigurisht në shtete të tjera në vitin 2024 nuk konceptohet zhvillimi i ndeshjeve pa sirenën automatike, por në vendin tonë diçka e tillë është lejuar, ndërsa tashmë mbetet për tu parë nëse do të kemi rezultat tavoline, apo FSHB do të vendosë për ri-zhvillimin e takimit. Situata e krijuar në ndeshjen e djeshme Teuta-Vllaznia, mund të krijojë precedent të rrezikshëm për raste të tjera, duke nisur që nga finalja e sotme në radhët e femrave, teksa Flamurtari mund të ndjekë gjithashtu rrugën e skuadrës shkodrane. Siç dihet, ditët e fundit ka pasur polemika të forta në basketbollin shqiptar dhe pikërisht mes Teutës dhe Vllaznisë, për gjysmëfinalen e dytë që u zhvillua në Shkodër, me durrsakët që kanë akuzuar për arbitrim të njëanshëm, ndërsa shkodranët dolën në mbështetje të arbitrave. Një klimë që e ka shtuar edhe më shumë dozën e tensionit, duke bërë që të mos gjendet bonsensi dhe të braktiset ndeshja në mes.

HFGJ RHYARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"