BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari fiton thellë në Elbasan dhe merr kryesimin, Vllaznia pret sot Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2022 | 11:42

BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari fiton thellë në Elbasan dhe merr kryesimin, Vllaznia pret sot Tiranën

Me ndeshjen e djeshme ndërmjet Elbasanin dhe Flamurtarit është hapur java e pestë në Kategorinë e Parë të basketbollit për femra. Asnjë surprizë në këtë përballje, teksa skuadra vlonjate doli me një fitore të thellë nga transferta në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.

flamurtari basket femra

Kështu Flamurtari triumfoi me rezultatin 49-83, duke u katapultuar në vend të parë në renditje. Një ndeshje pa shumë histori, kjo për shkak të hendekut të madh kualitativ mes dy skuadrave.

Në njërën anë kishim Elbasanin, një ekip modest vetëm me lojtare vendëse, ndërsa në kampin tjetër ishin kampionet në fuqi, të cilat dje aktivizuan tri lojtare të huaja.

Ekipi mik, i drejtuar nga trajnerja Elona Hasanaj e nisi lojën me rendiment të lartë në sulm, për ta fituar periodën e parë 10-28.

Më tej e menaxhoi qetësisht avantazhin, duke shkuar në pushim me epërsinë 27-50. Asgjë nuk ndryshon edhe në gjysmën e dytë të takimit, me vlonjatet që kanë gjithçka në kontroll për ta mbyllur të gjithë ndeshjen me +34 pikë avantazh.

Liliane Ikete Ndongbwo ishte lojtarja më e mirë e takimit, duke udhëhequr Flamurtarin me 37 pikë, 13 ribaunde dhe 4 asiste. Për Elbasanin spikatën Dea Sali me 18 pikë dhe Sidorela Zenuni me 16.

21

Java e pestë do të vijojë sot me ndeshjen Vllaznia-Tirana, takim që do të luhet në orën 16:30 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Ndërsa nesër në orën 12:00 në “Asllan Rusi” do të luhet takimi përmbyllës ndërmjet Barletit dhe Partizanit.

0

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"