BASKETBOLL/ Historike! Sezon pa asnjë humbje, Besëlidhja fiton titullin e parë dhe shpallet kampione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2024 | 12:12

BASKETBOLL/ Historike! Sezon pa asnjë humbje, Besëlidhja fiton titullin e parë dhe shpallet kampione

Besëlidhja është kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për edicionin 2023-2024.

Besëlidhja, kampione e Shqipërisë 2023-2024 FOTO: F.HAZISLLARI

Besëlidhja, kampione e Shqipërisë 2023-2024                          FOTO: F.HAZISLLARI

Skuadra lezhjane ka shkruar historinë duke fituar titullin e parë në sportin e koshit pas një sezoni rekordesh, të dominuar që nga java e parë e deri në sfidën e fundit “play off”. Finalja e katërt ndaj Teutës nuk dhuroi surpriza, pasi foli tërësisht për Besëlidhjen, e cila komandoi në Durrës, duke triumfuar me rezultatin e thellë 67-105, për ta mbyllur serinë 4-0 me ndeshje. Kështu akti i fundit i zhvilluar të shtunën në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, u dominua nga lezhjanët e trajnerit Afrim Bilali, të cilët treguan superfuqinë e tyre në parket. Nga ana tjetër, Teuta e pati të pamundur të ndalte një kundërshtar me kualitet dhe buxhet shumë herë më të lartë, ndërsa për bregdetarët vendi i dytë si nënkampionë mbetet një rezultat pozitiv, duke parë organikën e cunguar të lojtarëve gjatë këtij sezoni.

FINALJA 4 – Besëlidhja u fut e vendosur dhe e karikuar maksimalisht për ta mbyllur çështjen e titullit me 4 ndeshje, teksa menjëherë tregoi muskujt, për ta fituar periodën e parë 16-27. Skuadra veriore e thelloi në +18 pikë epërsinë pas gjysmës së ndeshjes, teksa mori edhe çerekun e dytë 20-27. Edhe me rikthimin në parket ritmi i Besëlidhjes mbeti i lartë, teksa miqtë i fituan edhe dy periodat e radhës 18-30 dhe 13- 21, duke e mbyllur me sukses treshifror me +38 pikë. Ashtu sikurse një vit më parë kur nderonte Tiranën, Julian Hamati ishte sërish lojtari i finaleve, duke merituar çmimin MVP, tashmë me ngjyrat e Besëlidhjes. Një basketbollist që sposton ekuilibrat në basketbollin shqiptar, falë rendimentit të jashtëzakonshëm. Hamati e mbylli finalen e katërt si lojtari i ndeshjes me 18 pikë, 10 kërcime dhe 2 asistime.

Përveç Hamatit, sezon të shkëlqyer kanë pasur edhe lojtarët e tjerë vendorë si Eldi Hysa, Robert Shestani, për të vijuar me radhë me kapitenin Elvis Beqo, me Marvin Prodanin, Vinsnet Grazhdanin etj. Pa diskutim rol kyç në fitimin e titullit kanë gjithashtu amerikanët, lojtarë kualitativë, me në krye Blake Marquard, Philbert Weekes, Alexander Caldwell dhe Oliver Amajoyi. Një grup i shkëlqyer i harmonizuar në perfeksion nga trajneri Bilali, duke justifikuar më së mirë investimet e bëra në këtë skuadër, me Besëlidhjen që e mbyll kampionatin si skuadër e pathyeshme, me 27 fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara. Në fund ishte edhe radha e ceremonisë, teksa kreu i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzoi kapitenit Elvis Beqo, duke i lënë vend festës së merituar të ekipit lezhjan.gfdshrsetyROLAND GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"