Basketboll Meshkuj/ Besëlidhja thyen Teutën në finalen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2024 | 15:41

Basketboll Meshkuj/ Besëlidhja thyen Teutën në finalen e parë

Asnjë surprizë në finalen e parë të kampionatit kombëtar në basketbollin e meshkujve mes Besëlidhjes dhe Teutës. Lezhjanët e kanë nisur mbarë, duke marrë avantazhin 1-0 në seri, teksa dje kanë triumfuar me rezultatin e thellë 103-72 në takimin e zhvilluar në sallën “Feti Borova”.

FOTO: F.HAZISLLARI

FOTO: F.HAZISLLARI

Pas një pjesë të parë më të mirë nga durrsakët, lezhjanët shpërthyen në gjysmën e dytë, duke realizuar përmbysjen, për ta fituar ndeshjen me 31 pikë diferencë. Kualiteti më i lartë, si dhe organika më e plotë e skuadrës së Afrim Bilalit bënë diferencën në parket, me Besëlidhjen që vijon sezonin perfekt, duke e dërguar në 24 numrin e fitoreve sezonale në kampionat, në po kaq takime të zhvilluara. Nga ana tjetër loja e Teutës u “fik” tërësisht në pjesën e dytë, ndërsa bregdetarët patën edhe mungesën e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, amerikanit Patrick Bacon.

NDESHJA – Finalja nisi me probleme teknike me matësin e kohës, gjë që solli edhe ndërprerjen e ndeshjes në periodën e parë, fraksion që zgjati rreth 30 minuta. Teuta e filloi më mirë, duke qenë thuajse gjatë të gjithë kohës më përpara në pjesën e parë, për ta mbyllur me avantazhin 17-22.

Skuadra e Milatoviçit luan më mirë edhe në çerekun e dytë, madje duke i trembur jo pak lezhjanët, teksa thellon deri në +13 pikë, 23-36, kur kishin mbetur 5 minuta lojë. Por Besëlidhja nis ta reduktojë diferencën, me periodën që mbyllet 21-23 për Teutën, ndërsa ekipet shkojnë në pushimin e madh me avantazhin 38-45 në favor të bregdetarëve.

FOTO: F.HAZISLLARI

FOTO: F.HAZISLLARI

Por me rikthimin në parket ndeshja s’ka më histori, teksa Besëlidhja dominon në çdo aspekt. Lezhjanët shpërthejnë për të fituar periodën e tretë në shifra të jashtëzakonshme, 38-11, duke përmbysur në 76-56 pas 30 minutash. Bilali i aktivizon të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, por loja e skuadrës nuk bie aspak, teksa Besëlidhja e fiton edhe periodën e fundit 27- 16, duke vulosur suksesin treshifror në finalen e parë.

asddsasdadsadsadsaadsads

Njeriu i ndeshjes ishte Julian Hamati, protagonist absolut me 32 pikë dhe 11 kërcime. Seria e finaleve do të zhvendoset në Durrës, teksa të shtunën, në orën 18:00, në pallatin e sportit “Ramzan Njala” do të luhet raundi i dytë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"