BASKETBOLL “PLAY OFF”/ Besëlidhja prek trofeun, tjetër triumf kundër Teutës
Besëlidhja marshon e sigurt drejt titullit të parë kampion në historinë e klubit në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Skuadra lezhjane ka fituar edhe finalen e tretë të “play off”-it kundër Teutës, duke e thelluar në 3-0 avantazhin e serisë, ndërsa tashmë është vetëm një triumf larg trofeut. Takimi i djeshëm në sallën “Feti Borova” u dominua tërësisht nga ekipi i Afrim Bilalit, që arriti të fitonte me rezultatin e thellë 106-65. Nga ana tjetër durrsakët duken të dorëzuar përballë një rivali me më shumë zgjedhje dhe kualitet.
NDESHJA – Ndryshe nga dy finalet e mëparshme, ku Teuta kishte arritur të rivalizonte deri në gjysmën e ndeshjes, sfida e djeshme nuk kishte histori, pasi Besëlidhja u tregua superiore në të katërta periodat. Lezhjanet shpërthyen që në çerekun e parë, duke e marrë atë në shifra të thella 28-17. Perioda e dytë kishte ritëm më të ulët nga të dyja ekipet, me Besëlidhjen që fitoi 23-11, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 51-28. Gjysma e dytë e ndeshjes nuk ndryshon asgjë, pasi skuadra veriore e kontrollon lojën mjaft mirë. Perioda e tretë është disi më e ekuilibruar, me Besëlidhjen që fiton 27-24, duke thelluar në 78-52 pas 30 minutash lojë. Çereku i fundit luhet sa për statistikë, ndërsa do të shënohet edhe një incident i vogël në sallë mes disa mbështetësve të Besëlidhjes dhe forcave të sigurisë, me këta të fundit që ndërhynë pas ndezjes së një fishekzjarri.
Pas rikthimit në parket, lezhjanët e fituan edhe këtë fraksion 28-13, duke vulosur triumfin final me rezultatin treshifror 106-65. Plot 40 pikë diferencë, që janë treguesi më i mirë u superfuqisë së Besëlidhjes. Në fund ekipet ndahen me “fair play”, me lojtarët që përshëndetën njëri-tjetrin. Duke kaluar te paraqitjet individuale edhe një herë tjetër spikati Julian Hamati, i cili u shpall sërish MVP me 30 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime për Besëlidhjen. Një lojtar që sposton ekuilibrat në kampionatin shqiptar, ashtu sikurse bënte një sezon më parë me Tiranën. Për Teutën shënuesi më i mirë ishte shkodrani Elian Memçaj, autor i 22 pikëve. Të shtunën më 25 maj në pallatin e sportit “Ramzan Njala” në Durrës do të jetë radha e finales së katërt, me Besëlidhja që do të ketë “bonusin” e parë për titullin. Lezhjanët do të kërkojnë që ta mbyllë sezonin me rekord, si të pamposhtur, duke synuar fitoren e 27-të, në po kaq ndeshje mes sezonit të rregullt dhe “play off”-it.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"