BASKETBOLL/ Shqipëria shkëlqen kundër Andorrës, vajzat kuqezi rikthehen te fitorja pas 15 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 20:45

BASKETBOLL/ Shqipëria shkëlqen kundër Andorrës, vajzat kuqezi rikthehen te fitorja pas 15 vitesh

Pas plot 15 vitesh pritjeje, që prej triumfit ndaj Maltës në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009”, Shqipëria është rikthyer të marrë një fitore me Kombëtaren e basketbollit të femrave në një ndeshje zyrtare. Vajzat kuqezi e kanë nisur me këmbë të mbarë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të shteteve të vogla, event që ka startuar sot në Prishtinë.

shqiperia basket

Kombëtarja e drejtuar nga Klaudio Ndoja ka debutuar me një fitore të bukur ndaj Andorrës me rezultatin 74-58, takim i vlefshëm për Grupin B. Shqipëria zhvilloi një lojë shumë të mirë, ndërsa e bëri diferencën në periodën e dytë dhe sidomos në të tretën, duke marrë 2 pikët e para në kompeticionin e organizuar nga FIBA. Kështu pas një periode të parë të mbyllur në ekuilibër të plotë 14-14, vajzat kuqezi morën kontrollin e sfidës dhe fituan 21-15 në 10-minutëshin e dytë, duke shkuar në pushimin e madh me epërsinë e 6 pikëve, 35-29.

Me rikthimin në parket Shqipëria e shton edhe më shumë dominim, teksa fiton 22-9 në periodën e tretë, duke thelluar në +19 pikë, 57-38, pas 30 minutash lojë. Çereku i fundit mbetet një formalitet, me Andorrën që e merr 17-20, por në rezulatin e përgjithshëm triumfi mbetet i salduar në shifrat 74-58 për Shqipërinë, ndërsa gjithçka mbyllet me festën e merituar në parket të vajzave kuqezi. MVP e ndeshjes u shpall Marinela Gjergji, autore e 12 pikëve, 3 kërcimeve dhe 4 asistimeve.

Shkëlqyen gjithashtu edhe Ornela Lalaj me 8 pikë dhe 13 kërcime, Enisa Qosja me 18 pikë, Marina Pëllumbi me 11 dhe Dajana Baraj me 10 pikë. Nesër në orën 18:00 Shqipëria do të rikthehet në parket për ndeshjen e dytë në grup kundër Armenisë, ndërsa pasnesër në orën 13:00 do të përballet me Norvegjinë për sfidën e fundit të Grupit B.

SHQIPËRI – ANDORRË   74-58
(14-14, 21-15, 22-9, 17-20)
Shqipëria: Baraj (10), Lalaj ( 8 ), Dishnica (5), Semanjaku (5), Qosja (18)/ Gjergji (12), Fekollari, Pëllumbi (11), Velias, Muça (3), Mala (2), Mollaj.
Trajner: Klaudio Ndoja
ANDORRA: Sobany (2) Mico (6), Laurent (11), Garcia (2), Guri (16)/ Rabasa (4), Perez (2), Collado (5), Brunet (4), Limones (6), Domene.
Trajner: Jose Rodriguez Vigo

KALENDARI

25 QERSHOR
SHQIPËRI – ANDORRË 74-58

26 QERSHOR
SHQIPËRI – ARMENI 18:00

27 QERSHOR
SHQIPËRI – NORVEGJI 13:00

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"