BASKETBOLL/ Shqipëria U-16 e vajzave, medalje bronzi në Divizionin C

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2024 | 18:18

BASKETBOLL/ Shqipëria U-16 e vajzave, medalje bronzi në Divizionin C

Shqipëria U-16 e vajzave e ka mbyllur me medalje bronzi aventurën e saj në Divizionin C të Kampionatit Europianit të basketbollit, event i zhvilluar në Gjibraltar nga data 9 deri më 14 korrik.

basketboll u16 vajza

Kombëtarja kuqezi kaloi me sukses finalen e vogël, duke mundur Maltën me rezultatin e ngushtë 43-41 (11-10, 8-13, 13-11, 11-7). Një takim me rivalitet të lartë, ndërsa vajzat e drejtuara nga trajneri Igli Zejno e bënë diferencën në pjesën e dytë, duke merituar plotësisht fitoren. Koshin vendimtar e realizoi Ema Çela, me një finalizim të saktë për 2 pikë, kur kishin mbetur 1 minutë e 25 sekonda nga fundi. Efikasitetin më të lartë nga vajzat e Shqipërisë e kishte Erika Muçenji, me 8 pikë, 13 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa u dallua edhe Ema Çela me 10 pikë e 4 asistime.

KOMBËTARET U-20 – Shqipëria U-20 e vajzave e përfundoi të shtunën pjesëmarrjen e saj në Divizionin B të Europianit që u mbajt në Sofje. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Klarent Dedaj u rendit në vend të fundit, duke i humbur të gjitha takimet (6). Sfida e fundit ishte kundër Rumanisë, me përfaqësuesen kuqezi që u mposht në shifra të thella 66-104 (20-26, 20-17, 15- 26, 11-35).

Pas një pjesë të parë të ekuilibruar loja e Shqipërisë erdhi në rënie në gjysmën e dytë, me rumunet që thelluan deri në +38 pikë. Anisa Bokrina me 26 pikë dhe Anisa Musaja me 18 ishin lojtaret më të mira në këtë takim për Shqipërinë.

Kundër Rumanisë dje pësoi humbje edhe Shqipëria U-20 e djemve në Divizionin B, që po mbahet në Pitesht. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Glen Prodani, u mposhtën nga vendësit me rezultatin 44-81 (18-15, 12-20, 2-19, 12-27), në takimin e vlefshëm për Grupin D. Pas një periode të parë të mirë, Shqipëria u “fik” gradualisht, ndërsa për t’u veçuar ishte fraksioni i tretë, me kuqezinjtë që shënuan vetëm 2 pikë gjithsej. Asnjë prej lojtarëve të Shqipërisë nuk mbërriti në kuotë dyshifrore pikësh në këtë përballje.

Megjithatë, duhet theksuar se përfaqësueset U-20 të djemve dhe vajza luajnë në një divizion më të lartë se ekipet e tjera të moshave, me kundërshtarë më cilësorë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"