BASKETBOLL U-20/ Europiani, Shqipëria mundet edhe nga Kroacia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2024 | 20:54

BASKETBOLL U-20/ Europiani, Shqipëria mundet edhe nga Kroacia

Shqipëria U-20 e basketbollit për vajza ka pësuar humbjen e radhës në Divizionin B të Kampionatit Europian që po mbahet në Sofje.

Capture

Pasi ishin mundur me rezultate të rënda, fillimisht nga Greqia 39-96 dhe më tej nga Belgjika në shifrat shkatërrimtare 30-150, skuadra e drejtuar nga trajneri Klarent Dedaj kompletoi tripletën e disfatave në Grupin C, teksa dje u thye edhe nga Kroacia me rezultatin 47-99 (12-16, 10-32, 13-24, 12-27). Me gjithë përpjekjet dhe dëshirën e vajzave kuqezi për to ishte e pamundur për të qenë konkurruese në nivelin e dytë të kompeticionit që organizohet nga FIBA. Në takimin e djeshëm ndaj kroateve, Shqipëria mundi të rivalizonte disi vetëm në periodën e parë, duke iu gëzuar për disa çaste një kryesimi momental në shifrat 9-8, 11-8 dhe 12-10.

Më pas ndeshja nuk pati më histori, pasi Kroacia e rimori epërsinë, për ta thelluar deri në 52 pikë në fund të takimit. Ndërkohë, për sa u përket statistikave individuale, Anisa Bokrina me 18 pikë dhe Brikena Muçenji me 11, ishin të vetmet në radhët e Kombëtares tonë qe prekën kuotë dyshifrore pikësh. Me përfundimin në vend të fundit në Grupin C, tashmë Shqipëria do të luajë për klasifikimin final 9/15, teksa të mërkurën do të sfidojë Bullgarinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"