Batha te Teuta, Besa merr Mancakun, Deliallisin e Muriqin
Një vit i nisur në mënyrën më të mirë për Besën. Presidenti Nexhat Bizhdili konfirmoi dje për “Panorama Sport” disa lëvizje të bujshme në merkaton e verës, të cilat kanë të bëjnë me skuadrën kavajase. Teksa ishin përfolur disa largime, nuk ka ndodhur kështu. Bizhdili ka sqaruar se ka arritur një marrëveshje me homologun e tij te Teuta, Edmond Hasanbelliu, teksa do të huazojë te durrsakët deri në fundin e sezonit mesfushorin Idriz Batha. Nga ana tjetër, te kavajasit vijnë tre lojtarë të Teutës: Bledar Mancaku, Alfred Deliallisi dhe Vedat Muriqi.
Konfirmimi – “Ju pata deklaruar se askush nuk largohet nga Besa dhe dy ditë përpara startit të stërvitjes, zyrtarisht mund t’ju konfirmoj se do të ketë vetëm një lojtar që nuk do të jetë pjesë e skuadrës në vazhdimësi. Mesfushori ynë Idriz Batha do të huazohet te Teuta deri më 31 qershor të këtij viti, për t’u rikthyer sezonin e ardhshëm përsëri te Besa, duke vazhduar kontratën”, – ka thënë fillimisht Bizhdili. E ndërsa ka garantuar se askush s’do të largohet, të premten në mbrëmje presidenti i Besës është ulur së bashku me mikun dhe homologun e tij te Teuta, Edmond Hasanbelliu. Produkt i kësaj bisede kokë më kokë ka qenë një marrëveshje, të cilën e zbulon vetëm Bizhdili. “Me huazimin e Bathës te Teuta, miku im Hasanbelliu më ofroi shërbimet e Mancakut, Deliallisit dhe Muriqit, të tre lojtarë cilësorë. Kështu, jo vetëm s’do të ketë largime, por Besa afroi tre futbollistë të njohur. Nuk do të ndalem këtu, pasi ka mundësi që të ofrohen edhe dy të tjerë, për të pasur një Besë, që jo vetëm të mbijetojë, por pse jo të synojë edhe Kupat e Europës. Mos u çudisni, prisni të shihni se Besa do të jetë më e fortë se ajo e fazës së parë”, – siguroi kreu i klubit kavajas, i cili tashmë ndihet më i qetë pas zhvillimeve më të fundit në merkato. Ndërkohë, një nga lojtarët që konfirmohet si afrim te Besa, sulmuesi Muriqi, për gazetën “Arena” në Kosovë ka thënë: “Nuk jam në dijeni, askush s’më ka njoftuar për këtë transferim”.
Berisha qëndron – Një nga dilemat e mëdha të merkatos është edhe e ardhmja e mesfushorit kosovar, Bernard Berisha. Megjithatë, edhe për këtë të fundit, por jo vetëm, Bizhdili flet me garanci. “Për Sefën, Berishën dhe ndonjë emër tjetër të përfolur në media, as që bëhet fjalë të largohen. Pata deklaruar se shes edhe tjegullat e shtëpisë për të mbajtur Sefën dhe tashmë jam i lumtur që sulmuesi qëndroj me ne. Këtë mund ta them edhe për Berishën. Pra, nga grupi që mbylli fazën e parë do të largohet vetëm Batha. Madje as Jashanica nuk do të rikthehet te Skënderbeu. Pasi bisedova me homologun tim, Takaj, gjetëm akordin që deri në maj lojtari të vazhdojë të luajë për Besën”, – përfundoi Bizhdili.
Kavajasit presin nga Teuta huazimin e Da Silvës
Edhe pse nuk ka një akord përfundimtar, klubi i Besës pret nga Teuta edhe mbrojtësin e majtë brazilian, Fernando Da Silva. Sipas konfirmimit të presidentit Bizhdili, ekziston mundësia që Da Silva, edhe nëse zhvillon fazën përgatitore me Teutën, përsëri mund të jetë pjesë e Besës. Gjithçka mësohet se do të varet nga kontingjenti që trajneri italian i Teutës do të ketë në dispozicion. Një tjetër futbollist që mund t’u bashkohet verdhezinjve është një mesfushor kosovar, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të detyrimeve që ai ka ndaj klubit ku luan. Nëse lojtari në fjalë zgjidh kontratën, atëherë pritet që nga data 10 janar t’i bashkohet Besës. Duhen pritur ditët e ardhshme për të parë nëse afrimet e Mancakut, Deliallisit e Muriqit do të pasohen nga futbollistë të tjerë te kavajasit.
Bindet Sefa: Nuk largohem, e mbyll sezonin në Kavajë
As Partizani dhe as Kukësi. Sulmuesi lushnjar, Fation Sefa, do të qëndrojë deri në fund të sezonit te Besa. Lajmin e konfirmoi dje për “Panorama Sport” vetë lojtari. Nga sa mësohet, presidenti Nexhat Bizhdili e ka likuiduar futbollistin në masën 90% dhe në këto kushte Sefa ka vendosur të qëndrojë në Kavajë, edhe pse në fundin e muajit dhjetor shpalli “divorcin” me klubin verdhezi. “Tashmë nuk kam më asnjë dyshim, pasi vendosa të mbyll sezonin me Besën. Pas takimit me presidentin Bizhdili gjetëm konsensusin dhe mund t’ju konfirmoj se do të vazhdoj të luaj për Besën. Falënderoj klubet që janë interesuar për mua gjatë kësaj periudhe, veçanërisht presidentin e Kukësit, Gjici, dhe atë të Partizanit, Demi. Kam biseduar me të dy, por në fund zgjodha të vazhdoja me Besën”, – ka thënë dje sulmuesi, i cili me sa duket nuk është joshur nga oferta e Kukësit dhe Partizanit.
FERIZ FERIZAJ