Bedri Greca: Elbasani mbetet i pathyeshëm edhe në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 19:35

Bedri Greca: Elbasani mbetet i pathyeshëm edhe në elitë

Bedri Greca është optimist për Elbasanin e Superiores, i cili do të dijë të tregojë vlerat si sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, ku u shpall edhe kampion. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, golashënuesi i edicionit të kaluar, thekson se do të japë gjithnjë maksimum për skuadrën.

greca

Ai hedh dorezat e sfidës ndaj rivalëve pa nisur ende sezoni, ku është në sinkron me klubin se verdheblutë do të jenë një kundërshtar i fortë për këdo. Sa i përket merkatos, Greca pohon se klubi po punon me qetësi, në mënyrë që të mos bëj gabime në ndonjë afrim, ndonëse konstaton se konkurrenca për të bërë merkato në lojtarë cilësorë është e madhe në elitë.

Greca, si e pret sezonin e ri në Superiore me Elbasanin?

Personalisht e pres me padurim, ashtu si edhe Elbasani, që ka shumë vite pa shijuar një ndeshje në Superiore Shpresoj shumë të kalojmë një sezon fantastik.

Vitin e kaluar u shpallët golashënuesi më i mirë i skuadrës, prisni të dilni edhe këtë edicion? 

Jo vetëm në ekipin tim. Objektivat i kam gjithnjë të larta, pavarësisht se shpesh nga unë apo nga rrethanat e tjera nuk ia kam dalë të tregoj potencialin tim. Vitet e fundit, si në Superiore, edhe në Kategorinë e Parë, kam treguar që mbrojtësit kanë hasur vështirësi në markimin tim. Do të jap gjithmonë më të mirën, edhe këtë sezon

. Superiorja është tjetër nivel, sa besim keni që Elbasani do të jetë konkurrues edhe aty?

Tjetër nivel nuk mund të themi, sepse Flamurtari dhe Laçi u ndalën në barazim që të vendosej fituesi, edhe pse vlonjatët luajtën tri ndeshje brenda javës. Ne jemi kampionët e Kategorisë së Parë dhe askush nuk do ta ketë të lehtë të përballet ndaj nesh.

Drejtuesit kanë shpallur si objektiv “Final 4”. Mendoni se do ta realizoni?

Kanë të drejtë të mendojnë kështu, sepse kanë ndërtuar një ekip solid dhe konkurrues. Me pak kujdes dhe disa afrime cilësore besoj shumë që jemi të pathyeshëm. Do ta nisim aty ku e lamë, me fitore. Kemi mbi 20 ndeshje pa humbje.

Çfarë mendimi keni për lëvizjet që janë bërë në merkato deri tani nga klubi?

Nga informacionet që kam, drejtuesit po punojnë me qetësi dhe me kujdes, sepse nuk mund të bëhen gabime në transferime. Superiorja është shumë e fortë. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit nuk mund të qetësohen shumë, sepse konkurrenca e transferimeve në Superiore është shumë e fortë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"