Behari: Gilman Lika mbetet në Vlorë, Curri kërkon kohë
Te Flamurtari garantojnë: Gilman Lika mbetet në Vlorë, ndërsa Debatik Currin do ta presin edhe pak ditë. Do të jetë pikërisht mbrojtësi i Kombëtares që do të përmbyllë merkaton. Megjithatë, zbulohet se Curri ka kërkuar edhe pak kohë. Drejtuesit e klubit vlonjat kanë zhvilluar të hënën në mbrëmje një bisedë telefonike me lojtarin dhe nga sa mësohet ai u ka kërkuar edhe disa ditë kohë, pasi e ardhmja e klubit ku ai bën pjesë aktualisht duket e paqartë. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë Ardi Behari gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, i cili sqaron gjithçka rreth lëvizjeve të fundit në merkato, duke filluar nga Curri e Lika, për ta përmbyllur me brazilianin dhe holandezin që janë afruar zyrtarisht te Flamurtari.
Për Currin Drejtori sportiv i klubit shpjegon se Currin po e presin, duke qenë se mbrojtësi ka shfaqur hapur dëshirën për të veshur fanellën e kuqezinjve. “Me Debatik Currin jemi në kontakte të vazhdueshme. Flasim thuajse çdo ditë, madje telefonata e fundit ishte dje (pardje). Curri na kërkoi edhe pak ditë kohë pasi ende është e paqartë e ardhmja e klubit ku ai është aktualisht. Pa dyshim që mbrojtësi Curri ka dëshirë të madhe për të ardhur te Flamurtari”, tha fillimisht Behari.
Për Likën Më tej ai tha se te Flamurtari nuk ka asnjë çështje sa i përket Gilman Likës. Sipas drejtorit sportiv, mesfushori do të qëndrojë te Flamurtari të paktën edhe për një sezon. Behari theksoi se Lika nuk shkon në asnjë skuadër tjetër, por do të qëndrojë në Vlorë. “Dua të sqaroj diçka dhe ta marrin vesh një herë e mirë të gjithë: Gilman Lika nuk do të largohet nga Flamurtari. Për sa kohë do të jetë në Shqipëri, Lika është i Flamurtarit. Të paktën edhe për një sezon është lojtar i yni. Ka një klauzolë në kontratën e tij. Në momentin që atij i vjen një ofertë e huaj, do të jetë i lirë pa e dëmshpërblyer klubin tonë. Por unë ju siguroj se ai do të jetë pjesë e kuqezinjve. Më mirë se Vlora nuk ka, ndaj shkodrani nuk ka ku shkon tjetër në Shqipëri. Nuk del një skuadër me kushtet tona, me grupin dhe ambiciet e mëdha, prandaj Gilmani do të vazhdojë me ne. Kështu që e lini të qetë futbollistin të përgatitet pasi kohën e ka të kufizuar”, shpjegoi Behari.
Për blerjet Gjatë kësaj deklarate, drejtori i klubit foli edhe për dy afrimet e reja në radhët e vlonjatëve, mbrojtësin brazilian Douglas Augusto Mendes Do Santos, si dhe për sulmuesin holandez Nassir Maachi. Behari thekson se të dy lojtarët përmbushin cilësitë që klubi kërkon, ndërsa pohon se mund të bëhet edhe ndonjë blerje tjetër, por pa përcaktuar repartin. “Braziliani Douglas Augusto Mendes, si dhe sulmuesi Nassir Maachi, janë tashmë lojtarë të Flamurtarit. I kemi parë me kujdes dhe them se janë lojtarët që ne duam dhe jo më kot vendosëm që t’i afrojmë. Por ju them se nuk do të nxitohemi të bëjmë gjëra të gabuara. Ne grupin për Ligën e Europës e kemi dhe tashmë përforcimet po i bëjmë për sezonin e ri. Mund të bëjmë edhe ndonjë afrim tjetër, por për momentin mund të them se duhet të shikojmë mirë se çfarë mund të afrojmë, duke parë se ku kemi nevojë. Nuk kemi pse të nxitohemi”, përfundoi Behari.
ERMAL SIKA