Bejzade si drejtor: Elbasani do ngjitet
‘Një bashkëpunim midis presidencës, bashkisë dhe tifozerisë do ta ringjisë Elbasanin në Superiore. Të gjithë bashkë mund ta rikthejmë Elbasanin mes më të mirave”. Me këto fjalë e ka nisur prononcimin e tij për “Panorama Sport”, në linjë telefonike nga Gjermania, Skerdi Bejzade, ish-lojtar i skuadrës verdheblu, ndërsa tani edhe drejtor teknik i saj, ndonëse nuk ka udhëtuar ende drejt Elbasanit për ta bërë gjithçka zyrtare.
Deklarata “Fakti që për Elbasanin kam një dashuri të veçantë, pasi kam kaluar vitet më të mira si futbollist, më bëri që të mos e vë shumë në dyshim, nëse duhet ta pranoja ose jo kërkesën e presidentit Laze, nëpërmjet telefonit, për të qenë drejtor teknik i kësaj skuadre. Ndonëse nuk kam qenë pjesë e skuadrës për një kohë të gjatë, kam pasur gjithnjë kontakte me presidentin Laze, duke u njohur në njëfarë mënyre edhe me atë çka po ndodh në Elbasan. Jam i bindur se sezonin tjetër Elbasanin do ta shohim në Superiore”, – shprehet Bejzade, i cili sezonin e shkuar mbajti të njëjtin post te skuadra e Kamzës.
Bashkëpunimi Bejzade, ndër të tjera, thekson se pa bashkëpunim është e vështirë t’i realizosh objektivat. Ndaj, ai beson se shumë shpejt do të ketë një trinom të pandashëm që do t’i dërgojë drejt suksesit. “Presidencë-bashki-tifozë, kjo duhet të jetë një hallkë e pandashme, sepse secila palë ka rëndësinë e saj dhe vetëm nëse bashkëpunojnë të tria bashkë, skuadra do të ecë. Unë personalisht kam shumë besim se gjithçka do të shkojë më së miri. Duhet të rikthejmë gjithashtu tifozerinë në stadium, siç ndodhte dikur, kur shpalleshim edhe kampionë të Shqipërisë. Kjo skuadër nuk e meriton të jetë pjesë e Kategorisë së Parë dhe ky do të jetë sezoni i fundit që do të militojë aty”, – përfundon Skerdi Bejzade, i cili pas pak ditësh do nisë punë zyrtarisht në postin e tij të ri.
VLADIMIR MEMA