Beqiri zbarkon në Vlorë, por Shkëndija mbetet pengesë. Flamurtari në kërkim të trajnerit, shtohen edhe dy kandidatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2024 | 12:26

Beqiri zbarkon në Vlorë, por Shkëndija mbetet pengesë. Flamurtari në kërkim të trajnerit, shtohen edhe dy kandidatë

Jeton Beqiri zbarkon në Vlorë. “Panorama Sport” mëson se fundjavën e shkuar trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut është parë në qytetin bregdetar. Gjasat janë që të ketë pasur një takim mes tij dhe drejtuesve të klubit dhe të kenë diskutuar për çështjen e kontratës.

jeton beqiri

Mesa duket ende nuk ka një arritje akordi mes palëve. Gjërat janë lënë të hapura dhe për 41-vjeçarin, e vetmja pengesë mbetet Shkëndija e Tetovës. Beqiri është pjesë e kësaj të fundit, që do të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe kjo gjë po e vonon edhe çështjen e prezantimit në Vlorë. Mendohej që Flamurtari do ta niste fillimisht nga “timonieri” çështjen e prezantimit, por e filloi me lojtarët. Vlonjatët e kanë kryer goditjen e parë në merkato, ku java nisi me prezantimin e sulmuesit të majtë, Trimror Selimi. Mesa duket, kjo ndodhi për shkak se nuk po zgjidhet çështja e trajnerit. Gazeta zbulon se Shkëndija i ka vendosur kusht Jeton Beqirit, përfaqësimin dinjitoz dhe kalimin e tureve në Europë.

Kështu që klubi tetovar shikohet si problemi i vetëm për ardhjen e Beqirit në Vlorë. Trajneri nuk u ka kthyer përgjigje negative drejtuesve të Flamurtarit dhe kjo i ka lënë me shpresa pritje vlonjatët. Jeton Beqiri pritet të zgjidhë çështjen me Shkëndijën dhe më pas të mbërrijë përfundimisht në Vlorë. Parimisht, me kuqezinjtë gjërat janë lënë të hapura. Mësohet se është këmbëngulja e Artim Pollozhanit që Beqiri të jetë në Vlorë si trajner, duke marrë edhe miratimin e Sinan Idrizi. Administratori gjendet në Turqi për arsye pune, por vijon të mbajë kontakte  me Pollozhanin në lidhje me punën për ndërtimin e skuadrës së re dhe zgjidhjes së çështjes së pankinës.

KANDIDATËT – Pavarësisht se Jeton Beqiri është zgjedhja e parë, në Vlorë lakohen edhe kandidatë të tjerë. Në “tavë” vijon të mbetet edhe Mladen Milinkoviç. Ky i fundit në sezonin e shkuar ka qenë te Buduçnost Podgorica, por për momentin është trajner i lirë. Eksperienca e tij në Shqipëri është e konfirmuar, pasi ka drejtuar Luftëtarin dhe Kukësin. Orët e fundit, në Vlorë kanë qarkulluar edhe dy emra të tjerë. Migen Memelli shikohet si një mundësi për pankinën dhe për momentin është i lirë.

44-vjeçari, i cili më parë ka luajtur si sulmues te Flamurtari, ka hyrë në lojë si kandidat për stolin. Me parë ka qenë trajner i Laçit, Skënderbeut dhe Vllaznisë. Emri tjetër që po lakohet është edhe Gugash Magani. 59-vjeçari sezonin e shkuar drejtoi Lushnjën. Nëse do të pranonte të rikthehej në Vlorë, kjo do të ishte hera e tretë që Magani drejton Flamurtarin. Shanse ka edhe Eqerem Memushi edhe pse të pakta. Klubi zyrtarisht nuk e ka shpallur divorcin me trajnerin vlonjat, por mosarritja e objektivit Superiore, e bën pak të vështirë një bashkëpunim për këtë sezon mes palëve. Në Vlorë janë në kërkim të një trajneri dhe çdo gjë mbetet e hapur.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"